Netanyahu: Nëse Hamasi nuk i liron pengjet, të shtunën nis lufta

12 shkurt 2025 | 08:28

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur se nëse Hamasi nuk i kthen pengjet izraelitë deri mesditën e së shtunës, armëpushimi do të përfundojë dhe ushtria izraelite do t’i kthehet luftimeve derisa Hamasi të mposhtet.

Në reagimin e tij të ashpër Netanyahu përkrahu edhe qëndrimin e presidentit të ShBA-së, Donald Trump për qasjen e tij të fundit për Gazën. Të njëjtin reagim pati edhe qeveria izraelite në lidhje me Hamasin dhe lirmin e pengjeve.

“Sapo përfundova një diskutim të thelluar katër-orësh në kabinetin e sigurisë politike. Të gjithë shprehëm zemërimin tonë për situatën tronditëse të tre pengjeve tanë që u liruan të shtunën e kaluar. Të gjithë mirëpritëm gjithashtu kërkesën e Presidentit Trump për lirimin e pengjeve tanë deri të shtunën në mesditë, dhe të gjithë mirëpritëm gjithashtu vizionin revolucionar të presidentit për të ardhmen e Gazës. Në dritën e njoftimit të Hamasit për vendimin e tij për të shkelur marrëveshjen dhe për të mos liruar pengjet tanë, mbrëmë urdhërova ushtrinë të mblidhte forcat brenda dhe rreth Rripit të Gazës. Ky operacion po kryhet në këtë kohë. Ai do të përfundojë në të ardhmen shumë të afërt. Vendimi që kam miratuar unanimisht në kabinet është ky; Nëse Hamasi nuk i kthen pengjet tanë deri të shtunën në mesditë – armëpushimi do të përfundojë dhe ushtria do t’i kthehet luftimeve intensive derisa Hamasi të mposhtet përfundimisht”, tha
Benjamin Netanyahu.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Hamasit, i cili i ka bërë thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të respektojë marrëveshjen e armëpushimit të Gazës “fjalë për fjalë” nëse dëshiron të lirojë pengjet e saj.

“Netanyahu duhet të zbatojë marrëveshjen fjalë për fjalë. Kjo do të sigurojë që gjithçka të shkojë pa probleme dhe pa vonesa dhe do të çojë në lirimin e të burgosurve nga të dyja palët”, tha një përfaqësues i Hamasit.

Trump ka zemëruar palestinezët dhe liderët arabë dhe ka ndryshuar politikën e SHBA-së për dekada që miratoi një zgjidhje të mundshme me dy shtete në rajon, duke u përpjekur të imponojë vizionin e tij për Gazën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Intervistoi: Branka Bogavac Përktheu: Nikolla Sudar Rebeli dhe antikonformisti i…