Netanyahu pas urdhërarrestit ndaj tij: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Gjykata më e lartë botërore për krimet e luftës lëshoi të enjten urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e tij të mbrojtjes dhe shefin ushtarak të Hamasit, duke i akuzuar ata për krime kundër njerëzimit në lidhje me luftën 13-mujore në Gaza.
Sipas Gjykatës Penale Ndërkombëtare kishte arsye për të besuar se Netanyahu dhe ish-ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant kanë përdorur “vdekjen nga uria si një metodë lufte” duke kufizuar ndihmën humanitare dhe kanë shënjestruar qëllimisht civilët në fushatën e Izraelit kundër Hamasit në Gaza – akuza që zyrtarët izraelitë i mohojnë.
Veprimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale erdhi pasi numri i të vdekurve nga fushata e Izraelit në Gaza kaloi 44,000 njerëz, sipas autoriteteve lokale shëndetësore, të cilat thonë se më shumë se gjysma e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë. Numri i tyre nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.
Netanyahu dënoi urdhrin kundër tij, duke thënë se Izraeli “i hedh poshtë me neveri veprimet absurde dhe të rreme” nga gjykata. Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij, ai tha: “Nuk ka asgjë më të drejtë se lufta që Izraeli ka bërë në Gaza”.
Zyra e kryeministrit e quajti atë “një vendim antisemitik”.
Ndërkaq, në një video adresim, vetë Netanyahu, e cilësoi si një “ditë të zezë” vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të lëshuar urdhër-arreste kundër tij dhe ish-ministrit të mbrojtjes, Yoav Gallant.
Netanyahu e quajti këtë vendim një shkelje të të drejtës natyrore të demokracisë për t’u mbrojtur nga “terrorizmi vdekjeprurës” dhe e përshkroi si një masë “antisemite” që për synim kishte pengimin e tij për vetëmbrojtje kundër armiqve që synojnë të shkatërrojnë Izraelin.
Ministri i Jashtëm i Izraelit tha se ICC kishte humbur legjitimitetin e saj.
Urdhri shënoi herën e parë që një lider në detyrë i një aleati të madh perëndimor akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga një gjykatë globale e drejtësisë.
Vendimi e kthen Netanyahun dhe të tjerët në të dyshuar të kërkuar ndërkombëtarisht, duke i vënë ata në rrezik arrestimi kur udhëtojnë jashtë vendit dhe potencialisht duke i izoluar më tej.
Izraeli dhe aleati i tij kryesor, Shtetet e Bashkuara, nuk janë anëtarë të gjykatës. Por të tjerët nga aleatët e Izraelit, duke përfshirë disa nga miqtë e tij të ngushtë evropianë, janë vënë në një pozitë të vështirë. Disa, përfshirë Francën, e mirëpritën vendimin e gjykatës dhe sinjalizuan se mund ta arrestonin Netanyahun nëse ai e vizitonte.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha se administrata e presidentit Joe Biden ishte “thellësisht e shqetësuar nga nxitimi i prokurorit për të kërkuar urdhër-arrest dhe gabimet shqetësuese të procesit që çuan në këtë vendim”.