Netanyahu: Sulmet ajrore izraelite dëmtuan rëndë Iranin
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha të dielën se sulmet ajrore dëmtuan rëndë Iranin dhe se me to shteti hebre arriti qëllimet që kishte.
Sulmet ajrore izraelite ishin kundëpërgjigje ndaj sulmin me raketa balistike të Republikës Islamike ndaj Izraelit në fillim të këtij muaji.
Nga ana tjetër udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei tha se sulmi izraelit “nuk duhet të ekzagjerohet dhe as të nënvlerësohet”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu bëri bilancin e sulmeve ajrore të vendit të tij ndaj Iranit. Ai tha se ato ia arritën qëllimit.
Zoti Netanyahu foli të dielën gjatë funeralit të një ushtari izraelit, një ditë pasi avionët luftarakë izraelitë goditën disa objektiva ushtarake në Iran, si hakmarrje për sulmin me 180 raketa balistike të Iranit ndaj Izraelit më 1 tetor.
“Në orët e para të së shtunës, ne mbajtëm premtimin tonë. Forcat Ajrore sulmuan në të gjithë Iranin.
Ne dëmtuam rëndë kapacitetet mbrojtëse të Iranit dhe aftësinë e tij për të prodhuar raketa.
Këto sulme vijnë pas disa muajve të fundit ku ne kemi vepruar në mënyrë sistematike për t’i prerë krahët Iranit, Hezbollahut dhe Hamasin. Dje goditëm regjimin iranian”, tha ai.
Ushtria izraelite tha se avionët e saj kishin goditur objektet që Irani përdori për të prodhuar raketat e lëshuara ndaj Izraelit, si dhe vendndodhjet e raketave tokë-ajër.
Agjencia shtetërore e lajmeve iraniane IRNA tha se katër persona u vranë nga sulmet, të gjithë ushtarë. Ushtria iraniane tha se sulmet kishin në shënjestër bazat ushtarake në provincat Ilam, Khuzestan dhe Teheran.
Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, bazuar në fotografitë sateliore, sulmet izralite në Iran dëmtuan objekte në dy baza ushtarake sekrete në juglindje të kryeqytetit Iranian.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant informoi Sekretarin amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin rreth asaj që e cilësoi “sukses të sulmeve izraelite ndaj Iranit”.
Nga ana tjetër udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei tha të dielën se sulmi izraelit “nuk duhet as të ekzagjerohet dhe as të nënvlerësohet”, por ai nuk bëri thirrje për një sulm të menjëhershëm hakmarrës.
Armiqësitë mes Izraelit dhe Iranit e kanë zanafillën që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Izraeli e konsideron Iranin si kërcënimin e tij më të madh, duke vënë theksin tek thirrjet e udhëheqësve të tij për shkatërrimin e Izraelit, mbështetjen e tyre për grupet militante anti-izraelite dhe programin bërthamor të Teheranit.
Ndërkohë sot si pasojë e sulmeve izraelite në Gazën veriore u vranë të paktën 22 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, thanë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.
Ofensiva izraelite në veri të Gazës ka hyrë në javën e tretë të saj dhe organizatat ndërkombëtare thonë se po ndodh një katastrofë humanitare. Izraeli thotë se në qendër të sulmeve të tij kishte militantët e Hamasit./VOA