
Netanyahu: Trumpi është miku më i madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë pas një takimi me sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, se presidenti amerikan, Donald Trump është miku më i madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë, raporton “Reuters .
Netanyahu ka thënë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Rubion se të dy patën një bisedë produktive gjatë së cilës diskutuan tema të rëndësishme.
“Trump dhe unë po bashkëpunojmë plotësisht për të koordinuar një zgjidhje për çështjen e Gazës”, ka thënë Netanyahu, duke shtuar se Izraeli ishte “i vendosur” për të arritur qëllimet e tij të luftës.
Ai ka deklaruar se Izraeli synon të neutralizojë kapacitetin ushtarak të Hamasit. Duke folur për Libanin, Netanyahu tha se Hezbollahu duhet të çarmatoset dhe se është mirë që ushtria libaneze ta bëjë këtë.
“Ne kemi mjetet për të ruajtur armëpushimin me Libanin dhe për të mbrojtur sigurinë tonë”, ka thënë ai, duke shtuar se Izraeli nuk do të lejojë që Siria “të bëhet një bazë për operacionet armiqësore”.