Netokracia
Shkruan: Blerim Reka
1.
Pas agrarit dhe industrialit, bota po e jeton transformimin teknologjik, ku jo toka, as fabrika – por informatika, do të jenë lëvizës i progresit; e dija – fuqi. Bujqit, ishin zëvendësuar nga punëtorët (fenomeni “Ford” në SHBA, midis dy luftërave botërore); e këta të fundit nga robotet (modeli japonez i bazuar në dije, sipas Nonaka dhe Takeuchi). Post-industrializimi, post-moderna dhe post-historikja, ndërkaq dominuan diskursin e mendimit global. Pas autokracisë dhe demokracisë, në shekullin tonë po imponohet gjithnjë e më tepër një “sundim” i ri: netokracia. Nga sundimi i individit e sundimi i shumicës, po kalohet tek “sundimi” i të gjithëve, apo i rrjeteve sociale. Nga: ”shteti jam unë”, në “shteti jemi ne” dhe tash, “shteti jemi të gjithë’”. Së paku virtualisht. Sundimi i parë ishte i pakontrolluar, i dyti i kontrolluar nga shumica, kurse ky i fundit, është jashtë kontrollit.
2.
Rrjetet sociale krijuan një “sundim” të ri, ku secili nga gjashtë miliardë tokësorët e shprehin lirisht mendimin. Por, për sundimin e parë-atë autoritar (në Korenë e Veriut, Rusi e Kinë) netokracia po përjetohet si “kërcënim i sigurisë kombëtare”, për çka vendosën ndalesa kundër rrjeteve perëndimore “armiqësore”! Por edhe rrjetet perëndimore janë “në luftë” satelitore si rasti i fundit: Starlink vs. Oneweb. Luftërat e ardhshme, nuk do të bëhen më vetëm për territore reale tokësore, por edhe për hapësira virtuale.
3.
Cyberwar (midis shteteve) dhe Netwar (midis akterëve jo-shtetëror) ndryshuan edhe konceptin e Klauzevicit mbi luftën. Avionët pa pilotë dhe dronët e bënë reale, atë që para më shumë dekadash mendonim se është vetëm trillim filmor i “Star Wars”. Inteligjenca artificiale dhe Chat gpt po e ndryshojnë jo vetëm mendimin por edhe veprimin. Ne luftë, e në paqe. Diplomacia klasike po zëvendësohet nga ajo digjitale, depeshet e mbyllura me Tweet Diplomacy të hapur. Netokracia krijoi gjuhë universale dhe ndikim e fuqi globale.
4.
Por revolucioni informativ nuk është fenomen i ri. Para 83 vitesh, Lasswell (1940), e kishte dhënë bazën e strategjive informative, me frazën e tij – tash më epike: “Kush – kujt, çka dhe si i tha, e me çfarë efekti”? (“Who says what, to whom via what channels, with what effects”). Pas tij, në vitin 1970, dy hulumtues të tjerë, Gierlach dhe Hine, dolën me konceptin: SPIN (“segmented, polycentric, ideologically interacted network”), i cili sot është bërë mjet manipulues i rrjeteve sociale dhe instrument i Hybrid War. Fake News u bënë manipulatore globale, duke zëvendësuar, në mënyrë të sofistikuar atë që quhej propagandë shtetërore. Hakerët u imponuan si luftëtarë virtual që dekonspirojnë deri edhe sistemet më të klasifikuara shtetërore. Lufta kundër ushtarëve virtual është paraprakisht e humbur.
5.
Cyber bota apo net bota e rrjeteve sociale sot, është ajo që në vitin 1992, largpamësi vizionar Ronfeldt e kishte quajtur: “Cyberocracy”, apo sundimi kibernetik. Kuptohet edhe këtu u gjetën format inkriminuese, që keqpërdorën vakuumin ndëshkues ligjor. Deri vonë, legjislacioni penal nuk sanksioninte Cybercrime, apo veprat penale kibernetike.
Po jetojmë, pra në netokraci, apo në kohën e sundimit të rrjeteve sociale.
Deri në revolucionin e radhës.
(Autori është Shef i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York)