Nets fitojnë sërish ndaj Celtics, Lakersat barazohen me Phoenixin
Brooklyn Nets përsërisin suksesin e ndeshjes së parë kundër Boston Celtics, duke e shfrytëzuar në maksimum faktorin fushë dhe thelluar epërsinë e serisë në 2-0. Rezultati përfundimtar në “Barclays Center” të New Yorkut, 130-108 tregon dominimin e ekipit vendës, që vetën në një moment të sfidës e ndjeu disi presionin e kundërshtarëve. Kevin Durant rezultoi shënuesi më i mirë me 26 pikë, 8 “rebound” dhe 4 asistime, por duhet theksuar se e gjithë pesëshja titullare e Nets e mbylli ndeshjen me numër dyshifror pikësh, raporton “Supersport”.
Los Angeles Lakers barazuan serinë kundër Phoenix Suns, duke fituar në parketin e skuadrës nga Arizona 102-109. Kalifornianët dominuan që në fillim të takimit, duke shkuar +15 pikë pas pjesës së parë, por në mesin e periodës së fundit rezultati u barazua 90-90. Pas këtij momenti realizoi një trepikësh të rëndësishëm Marc Gasol dhe pastaj erdhi koshi i LeBron James, që Lakersat të nisnin fluturimin në sprintin final. Vendimtar në këtë përballje të zhvilluar në “Phoenix Suns Arena”, Anthony Davies me 34 pikë, 10 “rebound” dhe 7 asistime.
Tjetër sukses për Dallas Mavericks në parketin e Los Angeles Clippers, këtë herë me rezultatin 121-127. Skuadra teksane, e udhëhequr nga Luka Donçiç, mund ta mbyllë kualifikimin me dy fitore në dy sfidat e radhës në “American Airlines Center” të Dallasit.
Teksanët e bënë diferencën në periodën e tretë me një rezultat të pjesshëm 30-19, që i gjunjëzoi Clippers. Për t’i nxjerrë një herë e mirë jashtë loje kalifornianët mendoi talenti slloven, që e mbylli takimin me 39 pikë, 7 “rebound” dhe po kaq asistime, i ndihmuar nga Tim Hardaway Jr, autor i 28 pikëve, duke qenë i saktë në 6 nga 8 tentativat për tri pikë. Në radhët e Clippersave nuk mjaftoi një Kawhi Leonard në superformë, por vetën ne pjesën e parë, pasi nga 41 pikë në total, vetëm 11 realizoi në dy periodat e fundit.