Netsat fitojnë edhe ndeshjen e dytë ndaj Bucks, Suns e nisin mbarë kundër Nuggets

08 qershor 2021 | 12:55

Brooklyn Nets dominuan edhe në sfidën e dytë të serisë së gjysmëfinaleve të Konferencës së Lindjes përballë Milwaukee Bucks, duke triumfuar me rezultat të thellë 125-86.

Kevin Durant me shokë praktikisht e mbyllën takimin në dy periodat e para, duke shkuar në pushim me +24 pikë, 65-41. Ishte pikërisht Kevin Durant MVP i ndeshjes, si autor i 32 pikëve në 33 minuta që qëndroi në parket. Vlen të theksohet edhe një e dhënë interesantë: Netsat realizuan plot 21 trepikësha nga 41 tentativa në total. Me rezultatin e serisë 2-0, dy përballjet e radhës do të zhvendosen në Wisconsin, ku Bucks duhet të shfrytëzojnë faktorin fushë për të mos u gjendur me shpatulla pas muri. Duhet kujtuar gjithashtu që së shpejti në radhët e Netsave do të kthehet edhe James Harden, me skuadrën njujorkeze që bëhet edhe më e fortë.

Festojnë edhe Phoenix Suns, të cilët triumfuan në sfidën e parë të serisë gjysmëfinale të Perëndimit përballë Denver Nuggets me rezultatin përfundimtar 122-105. Skuadra nga Colorado e udhëhoqi takimin për rreth gjysmë ore lojë, por në fundin e periodës së tretë Suns ndryshuan ritmin, duke i parakaluar kundërshtarët. Ekipi nga Arizona e siguroi fitoren veçanërisht falë lojës në grup, me 4 basketbollistë që shënuan 20 apo më shumë pikë.

Më i miri rezultoi Mikal Bridges me 23 pikë, ndërsa Chris Paul dhe Devin Booker e mbyllën me nga 21 pikë. Për t’u vlerësuar edhe kontributi i DeAndre Ayton me 20 pikë. Përballja e dytë do të zhvillohet po në fushë ne Suns. /Supersport/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Huawei ka arritur të vlerësohet si Zgjedhja e Klientëve në…