Neueri: Nderuam Riberyn, Robbenin dhe Rafinhan
Manuel Neuer është rikthyer si ai në kohët e vjetra. Pasi mungoi në fundin e sezonit në Bundesligë si pasojë e një dëmtimi, kapiteni i “bavarezëve” ishte lojtari më i mirë për skuadrën e Niko Kovaqit. Në sytë e trajnerit të kombëtares, Joachim Low, Neueri i tregoi edhe një herë Gjermanisë pse është numri 1 në portë.
Në pjesën e parë ai reagon saktë pas një goditjeje me kokë të Poulsen dhe në pjesën e dytë nuk i lë asnjë mundësi Forsbergut për të shënuar golin e barazimit. Dy pritje vendimtare, kaq ka mjaftuar që tifozët e Bayernit ta rikthejnë atë në qiellin e shtatë.
“E pabesueshme se çfarë ka bërë Manuel, ai ka aktivizuar programacionin e zotit”, ishte një nga komentet më të spikatura. Në fakt, Neuer meriton çdo kompliment, duke parë edhe rastet e lartpërmendura. Vetë kapiteni “bavarez” u shpreh pas ndeshjes se ishte shumë i lumtur që arriti të ndihmonte skuadrën për të siguruar trofeun e 19-të në Kupën e Gjermanisë.
“Kam punuar shumë në stërvitje për të qenë në formën time më të mirë. Më mirë nuk kishte si të shkonte”, u shpreh Neuer. “Do të festojmë së bashku me tre lojtarët që do të largohen nga Bayerni. Rafinha, Robben dhe Ribery meritojnë një lamtumirë dinjitoze. Ata kanë dhënë shumë në fushën e lojës dhe tani është koha që të marrin mirënjohjet që u takojnë. Fituam si skuadër dhe kjo më krenon. Nuk ishte një sezon i lehtë, por në fund arritëm të fitonim kampionatin dhe Kupën, duke treguar karakter dhe forcën e vërtetë të Bayernit”, ka deklaruar Neuer.