Neueri si lojtar në fushë, propozimi i çuditshëm për Nagelsmannin
Situata me koronavirusin te Bayerni vazhdon të jetë problematike. Fillimi i vitit ka ardhur me surpriza të pakëndshme për ekipin e drejtuar nga Julian Nagelsmann.
Të paktën nëntë lojtarë rezultojnë pozitivë me koronavirus dhe trajneri Nagelsmannin nuk e ka të qartë se çfarë do të bëjë me formacionin në takimin e së shtunës kundër Kolnit. Mungesat e shumta që në takimin kundër Gladbahut e detyruan trajnerin e Bayernit të bëjë modifikime të panumërta në formacion, teksa një nga risitë ka qenë aktivizimi si titullar i portierit Sven Ulrajsh.
Për herë të parë që nga qershori 2020 ai aktivizohej si titullar ndaj Gladbahut për shkak se Neuer rezultonte pozitiv me COVID. Duke komentuar situatën te Bayerni, Ulrajsh ka thënë:
“Ditët e para kanë qenë vërtet të vështira. Nuk ishim ende të qartë nëse do të nisnim apo jo stërvitjet dhe sa prej nesh ishin infektuar”. Më pas ka ardhur dhe perla e portierit 33-vjeçar, i cili ka hedhur idenë se në kushte të vështira si kjo pandemi, trajneri Nagelsmannin mund të hedhë në fushë jo si portier, por si lojtar fushe numrin një të portës së bavarezëve, Manuel Neuer.
Neuer mungoi ndaj Gladbahut për shkak të infektimit, por prej ditësh është kthyer në stërvitje me bavarezët. “Sipas meje, Manuel Neuer është portieri më i mirë në botë në lojën me top. Ai mund të luajë fare mirë si një mbrojtës ose në mesfushë.
Mund të kishte qenë një alternativë shumë e mirë për ne në takimin kundër Gladbahut, por për fatin e keq na mungonte për shkak infektimi”, ka thënë Sven Ulrajsh. Në fakt, kjo ide e hedhur nga Ulrajsh nuk është e panjohur në kampin bavarez.
Edhe më parë, kur skuadra drejtohej nga Pep Guardiola, tekniku spanjoll kishte vënë në dukje aftësitë e Nojerit për të bërë jo vetëm portierin, por për t’u sjellë edhe si një lojtar i zakonshëm.