Neueri, tifozëve: Luaj ndaj Liverpoolit
Një dëmtim në dorë bëri që Manuel Neueri të mos ishte i pranishëm në tri ndeshjet e fundit të Bayern Munchenit.
Megjithatë, tifozët “bavarezë” s’duhet të shqetësohen pasi “gardiani” gjerman është i bindur se do të riaftësohet në kohë për të qenë i gatshëm për përballjen ndaj Liverpoolit në “Anfied” në javën që vjen. Në një intervistë për “ESPN”, portieri i kampionëve të Gjermanisë ka folur për ndeshjet kundër Liverpoolit dhe trofeun e Ligës së Kampionëve që mungon te Bayerni.
“Tani ndihem mirë. Mendoj se stafi mjekësor do të më lejojë të luaj. Gjithçka po shkon mirë në stërvitje dhe të gjithë jemi optimistë. Jam i sigurt se do të jem unë midis dy shtyllave. Për ne Liga e Kampionëve është një trofe shumë i rëndësishëm. Do të luajmë dy finale. Mezi po e presim të luajmë në ‘Anfield’. Kemi dëgjuar shumë atmosferën që krijohet në atë stadium. Çdokush që ka parë futboll e di se atje është një atmosferë shumë e veçantë. Mendoj se do të jenë dy ndeshje të mëdha”, ka deklaruar Neueri.