Neurokirurgët e QKUK-së kryejnë tri operacione të komplikuara
Në Klinikën e Neurokirurgjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë kryer tri operacione specifike brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Sipas programit operativ, neurokirurgët kanë kryer intervenime kirurgjike në tru tek pacientët të cilët janë diagnostikuar me aneurizma të enëve të gjakut.
“Aneurizma apo arteria e zgjeruar, zakonisht është e metë e lindur, e cila mund të jetë e pranishme për një kohë më të gjatë tek pacienti, ndonëse ai mund të mos ketë asnjë simptomë. Ajo zbulohet vetëm kur shpërthen dhe shkakton gjakderdhje në tru”, është thënë në njoftimin e QKUK-së.
Sipas këtij njoftimi, doktor Arsim Morina, ka thënë se pacientët janë në gjendje të mirë dhe trajtimin janë duke e vazhduar në repartin e Neurokirurgjisë normalisht, pa pasur nevojë për kujdesin intensiv.
“Në një program operativ janë kryer të dy aneurizmat, njëra me bazë të gjerë të arteries së përparme të komunikans dhe tjetra në arterien cerebri media, po ashtu me bazë të gjerë. Pacientët nuk kishin nevojë që të shkojnë në kujdesin intensiv, por janë kthyer në repart, ku janë zgjuar pa ndonjë deficit neurologjik”.
“Operimet më të sofistikuara i kryej bashkë me ekipin dhe nuk janë të zakonshme në asnjë qendër neurokirurgjie që të operohen dy aneurizma gjatë një dite. Aq më tepër, kur operojmë vetëm me një sallë operative. Përveç shpëtimit të jetës dhe kualitetit të jetës, i janë kursyer edhe mjete materiale Buxhetit të Kosovës, ku të tri operimet do të kushtonin të paktën 100 mijë euro”, citohet të këtë thënë Morina.
Ndërsa neurokirurgu Fatos Kelmendi, sipas këtij njoftimi, citohet të këtë thënë se vetëm një prej tyre intervenimeve nuk mund të kryhet më herët se gjashtë orë.
Në anën tjetër, Hajrie Biba, njëra nga pacientët e operuar, ka rrëfyer momentin kritik, derisa ka ka thënë se pas operimit është duke u ndier mirë.
/Epoka e re/