Neurokirurgia e vetme kosovare punësohet në spital shtetëror në Gjermani
Suksesi i shqiptarëve në fusha të ndryshme është prezent nëpër të gjitha vendet e botës. Një nga historitë e suksesit është edhe Fortesa Bytyqi, e cila u bë specialistja e parë e neurokirurgjisë në një qendër të madhe spitalore në Gjermani, raporton Gazeta Sinjali.
Ajo për Sinjalin ka rrëfyer historinë e saj, duke thënë se studimet për Mjekësi i ka përfunduar në vitin 2014 në Universitetin e Prishtinës, për të vazhduar më pas me mësimet për e gjuhës gjermane.
“Menjëherë pas studimeve kam fillu me mësu gjuhën gjermane dhe kam apliku në spitale në Gjermani për me fillu specializimin”, tha ajo.
Tutje rrëfen se pak muaj pas përfundimit të studimeve bazë, ajo ka arritur që të sigurojë një vend pune si specializante dhe brenda një kohe të shkurtër ka përfunduar edhe provimin për licensën e punës në Gjermani.
Në vitin 2015 në intervistën e parë, kam arritë me siguru një vend pune si specializante. Mbas dy muajsh kam përfundu edhe provimin për licensën e punës në Gjermani. Krejt kohën e specializimit e kam mbaru në qytetin e Saarbrucken në Gjermani në një qendër të madhe shtetërore spitalore”, shtoi Bytyqi.
E gjithë puna e saj u shpërblye me përfundimin e provimit specialisitik në shtator të këtij viti, e që pasoi me punësimin e saj si specialiste e Neurokirurgjisë në po të njëjtin spital.
Sipas saj, pasioni për këtë katedër të Mjekësisë i lindi që në kohën e studimeve për shkak se nuk kishte gra tjera specialiste në këtë fushë.
“Pasioni im për neurokirurgjinë vjen që nga koha e studimeve. Në atë kohë, por edhe tani nuk ka ende një femër specialiste në fushën e neurokirurgjisë. Në vitet e fundit, sidomos këtu në Gjermani kam dëgjuar dhe takuar personalisht shumë e më shumë vajza nga Kosova me të njëjtin pasion për neurokirurgjinë”, rrëfen Fortesa.
E synimi i saj mbetet që profesionin të kthehet dhe ta ushtrojë në vendlindje.
“Synimi im është që një ditë të mund të kthehem në Kosovë dhe me të njëjtin pasion të mund t’i trajtoj pacientët kosovarë”, shtoi tutje ajo.