Neuropsikiatri Ferid Agani: Pandemia shkaktoi traumë psikologjike që po shkakton rritjen e dhunës
Numri i rasteve të vetëvrasjeve në vend kohëve të fundit është rritur.
Madje, në vetëm më pak se një muaj në rajonin e Prizrenit janë kryer katër vetëvrasje.
Por, ajo që tronditi vendin ishte edhe vdekja e 18 vjeçarit nga Podujeva, i cili u rrah për vdekje nga dy të mitur.
Lulzim Fejzullahu vdiq më 20 janar pas gjashtë dite nga lëndimet e rënda që kishte marrë.
E, kjo dukuri ka ngritur alarmin që institucionet duhet të ndërmarrin hapa konkret në parandalimin e këtyre situatave.
Por, çka po i shtynë individët që të kryejnë vrasje e vetëvrasje, për Front Online ka folur neuropsikiatri, Ferid Agani.
Ai ka thënë se njëri ndër shkaktarët kryesorë është rritja e jostabilitetit psikologjik brenda individit.
Agani këtë dukuri e ka quajtur jo të zakonshme për shoqërinë tonë.
Kurse, ka përmendur edhe shkaktarët e tjerë.
“Ndër shkaktarët për këtë veçoj: përcjelljen trans-gjenerative të traumave në mesin e qytetarëve, shkallën e lartë të ankthit të ndarjes brenda familjeve për shkak të emigracionit enorm, dhe neglizhencën institucionale ndaj rrënimit të shpejtë të sistemit të vlerave dhe bindjeve brenda familjes si dhe goditjeve sistematike, të pamenduara, ndaj strukturës, roleve, organizimit dhe funksionimit të familjes në rrethanat e tranzicionit të shpejtë social e kulturor, në valën e neoliberalizmit global”, ka thënë ai.
Neuropsikiatri Agani ka folur edhe për rritjen e rasteve të dhunës dhe agresivitetit, duke thënë se kjo ndodhë si rezultat i çrregullimit të stabilitetit psikologjik.
“Rritja e agresivitetit dhe akteve të dhunës në shoqëri është rezultat i çrregullimit të stabilitetit psikologjik të individit për shkak të predispozitës së tij specifike gjenetike dhe stresit kronik psiko-social që është rezultat i mosrealizimit të aspiratave narcistike, padrejtësive dhe pabarazive në shoqëri, si dhe mungesës së modeleve adekuate të identifikimit në familje”, është shprehur Agani.
Agani: Pandemia Covid-19 ka dobësuar aftësitë për të kontrolluar impulset agresive
Pandemia Covid-19 ka lënë pasoja afatgjata për shoqëritë dhe ekonomitë e vendeve.
Madje, e njëjta ka ndikuar shumë edhe në shëndetin mendor të qytetarëve nga mbyllja dhe izolimi që përjetuan këta të fundit.
Neuropsikiatri Ferid Agani për Front Online ka folur edhe për këtë çështje.
Ai, thotë se pandemia Covid-19 ka shkaktuar traumë psikologjikë për mbarë njerëzimin.
Dhe, si pasojë e kësaj njerëzit nuk po mund të kontrollojnë impulset agresive.
“Pandemia Covid 19 ka paraqitë traumë kolektive psikologjike për mbarë njerëzimin, që në maksimum ka shpenzuar fuqitë përballuese psiko-sociale të njerëzve dhe që në masë të madhe ka dobësuar aftësitë e tyre për të kontrolluar në mënyrë adekuate impulset agresive”, ka deklaruar Agani.
Agani, ka kërkuar që të kihet kujdes të shtuar jo vetëm në mënyrë individuale por edhe institucionale në mënyrë që të zvogëlohen pasojat nga shëndeti mendor.
“Natyrisht se sfidat e njerëzimit dhe shoqërisë tonë nuk ndalen, kështu që nevojitet kujdes i shtuar, si individual ashtu edhe institucional, për tu zvogëluar pasojat në rrafshin e shëndetit mendor të situatave të ngjashme, që janë të paevitueshme”, ka shtuar ai.
Ferid Agani: Fëmijët janë bërë robër të faqeve sociale, të ndryshohen kurrikulat mësimore
Pas vrasjes së 18 vjeçarit në Podujevë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të merren me promovimin e shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve në shkolla.
Për, këtë çështje neuropsikiatri Ferid Agani thotë se ka debatuar në kohën sa ishte edhe vet deputet që në vitet e para të pasluftës.
“Vlerësoj se është humbur mundësia historike që nëpërmjet zbatimit të mësimit mbi Zotin e Madhërishëm dhe besimin në të, sipas praktikave më të mira Europiane, tek nxënësit të fuqizohet korpusi i vlerave etike e morale dhe me këtë të fuqizohet ndërgjegjja individuale e kolektive që paraqet mekanizmin më të mirë, të natyrshëm, për kontrollin e agresivitetit të pakontrolluar dhe dhunës në shoqëri”, ka thënë ai për Front Online.
Agani, ka pohuar se sot nxënësit janë bërë robër të faqeve sociale.
Sipas tij duhet të ndryshohen kurrikulat mësimore dhe të fuqizohet detyrimi i leximit.
“Është e domosdoshme që urgjentë të ndryshohen kurrikulat mësimore dhe të fuqizohet detyrimi i leximit dhe të kuptuarit të literaturës së zgjedhur nga ana e nxënësve, të cilët në ditët e sotme janë bërë robër të faqeve sociale duke mësuar e imituar mënyrat më të gabueshme të sjelljes sociale”, ka shtuar Agani.