Neveria e Balzakut për gazetarët
Përgatiti: Aurel Plasari
I radhiste ndër “kurtizanet”, ndonëse edhe vetë kishte qenë gazetar, botues gazete, madje pronar gazete:
Honoré de Balzac: “Kushdo që është llokoçitur në gazetari, ose që llokoçitet ende, është i detyruar nga një nevojë mizore t’i përshëndesë njerëzit që i përbuz, t’i buzëqeshë armikut të tij më të madh, të bjerë në ujdi me poshtërsitë më të fëlliqura, t’i ndyjë duart duke dashur t’i paguajë agresorët e tij me monedhën e tyre.
Në gazetari mësohesh të shohësh sesi e bëjnë të keqen, fillon ta miratosh atë dhe, më në fund, e bën edhe vetë.
Me kalimin e kohës shpirti, i njollosur pareshtur nga dallavere të turpshme e të vazhdueshme, zbruhet, zvetënohet, susta e mendimeve fisnike ndryshket, menteshat e banalitetit hahen nga përdorimi dhe vërtiten vetiu.
Alcestët bëhen Filentë, karakteret squllen, dobësohen, talentet bastardohen, besimin në veprat e bukura e merr era. Dikush që donte të krenohej me faqet e veta e shpenzon veten në artikuj mjeranë, që ndërgjegjja e tij ia sinjalizon herët a vonë si veprime të ulëta e të këqija…”.