Neville: Unitedi është kthyer në ‘varrezë futbollistësh’
Legjendë e Manchester United, Gary Neville ka thënë se klubi që humbi 0-3 derbin me Manchester Cityn në “Old Traffort” është shndërruar në “varrezë futbollistësh”.
Neville, i cili është i angazhuar si komentator në rrjetin “Sky Sports”, kritikoi ashpër strukturën e një klubi që nuk ka fituar Premier Ligë prej një dekadë.
“Kur vjen një trajner i ri te Manchester United, ne fillojmë të mendojmë se ka ndonjë problem me të në një moment. Kur mendojmë për lojtarët që i kemi blerë për 50, 60 ose 70 milionë, kuptojmë që e kemi kthyer klubin në varrezë për ta”, ka thënë Neville. “Ka një kulturë toksiciteti dhe negativiteti rreth klubit që nuk largohet. Erik Ten Hag është një trajner fantastik, ne nuk mund ta vëmë në dyshim këtë. Jose Mourinho është një trajner i madh, nuk mund ta mohojmë as këtë. Pse nuk ia dalin në këtë klub? Kjo është pyetja”, ka shtuar ish-anësori i “Djajve të Kuq”.