Nevojat tona imediate në aspektin e sigurisë

14 shkurt 2021 | 12:58

Shkruan: Arben Dashevci

Politika në kuptimin e gjerë të fjalës nënkupton orientimin e veprimtarisë njerëzore në drejtim të caktuar me qëllim të realizimit të objektivave të caktuar.

Politika e bën orientimin e shoqërisë me ndihmën e pushtetit shtetëror. Gjithashtu, shumë shpesh mund të dëgjohet se politika është arti i qeverisjes.

Në këtë ndikojnë një sferë faktorësh relevantë definues, pa të cilët nuk është e mundur të realizohen veprimtaritë konkrete që rezultojnë me situatë të mirë të sigurisë nacionale.

Siç duket, politika e sigurisë është në varësi të të gjitha aspekteve e aktiviteteve të njeriut. Politika efikase e sigurisë mund të jetë e suksesshme vetëm në qoftë se ajo është e bazuar në njohuritë shkencore.

Politika demokratike e sigurisë, përveç kompetencës së sigurisë, e cila është kompetencë themelore e saj, nëpërmjet aktualitetit të saj praktik, shërbimit të sigurisë dhe institucioneve të tjera, duhet të përcaktojë kornizën që përfshin ndërvarësinë e saj dinamike në ruajtjen e stabilitetit të rendit politik. Kjo tregon qartë vendin që ka politika e sigurisë në shoqëri.

Faktor vendimtar në shkatërrimin dhe eliminimin e të gjitha burimeve të pasigurisë është reaksioni i shoqërisë në tërësi dhe jo vetëm i organeve shtetërore që merren me këtë problematikë, sepse është e pamjaftueshme.

Nga e gjithë ajo që u tha deri më tani del se politika e realizon fuqinë e saj institucionale nëpërmjet shtetit, sepse lufta politike midis partive, para së gjithash, është e orientuar kah shteti, si objektiv i fundit i tyre.

Shteti paraqet interesin themelor politik të çdo partie politike, sepse secila parti ka të drejtën e organizimit të masave të ligjshme detyruese. Në këtë kuptim, në nivel të shtetit hartohet dhe miratohet politika e sigurisë, e cila shërben si kornizë themelore për realizimin e interesave fundamentale të shoqërisë.

Këto politika të mirëfillta e krijojnë strategjinë e sigurisë në shtet.

Kjo  strategji arrihet  gjithsesi me të dhënat që kalojnë nëpër procesin e seleksionimit dhe vlerësimit të situatës, futen në  evidencën kriminalistike nëpërmjet së cilës shfrytëzohen më vonë.

Strategjia kriminalistike arrihet në marrëdhënie me opinionin publik, sepse fuqia themelore e opinionit pasqyrohet me parimin demokratik, për jetë më të mirë, më humane dhe më të civilizuar, me ç ‘rast parimi i opinionit publik merr dimensione të veçanta në kuptimin e tij funksional (transparenca e policisë, gjykatës dhe e procedurës penale).

Është shkenca e kriminalistikës (por dhe e shumë shkencave të tjera) ajo që në praktikë e kryen punën e vet, që ne të ndihemi më të sigurt.

Çka është Kriminalistika?

Kriminalistika është disiplinë shkencore, e cila me qëllim të aplikimit praktik, merret me studimin e mjeteve dhe metodave të zbulimit dhe shpjegimit të veprave penale, me zbulimin e kryesve të tyre, me sigurimin dhe vërtetimin e dëshmive, (kriminalistika represive) si dhe me pengimin e vetëkryerjes  së veprave të ardhshme penale (kriminalistika preventive).

Ligji është akti më i lartë juridik shtetëror pas kushtetutës, i cili përmban normat juridike më të rëndësishme, të cilat përpunohen me akte më të vogla se ligji, siç janë: rregullorja, vendime etj.

Për nxjerrjen e ligjit, zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të tij është i autorizuar i vetmi subjekt: shteti. Kjo rezulton që shteti është korniza themelore për zbatimin e politikës preventive dhe ndalimin e kriminalitetit. Në aspektin ideal, në botën bashkëkohore, fjala këtu është për shtetin juridik.

Strategjinë e sigurisë e zbaton në praktikë shteti, pra pa marrë parasysh ndërrimet dhe kalkulimet politike, strategjia e sigurisë duhet të vazhdojë e pavarur në praktikë.

Pra varet ekskluzivisht prej hartuesve të politikave të sigurisë se si zbatohet strategjia.

Për sa i përket Operativës (Policisë) është definitive që jemi akademi për shtetet në rajon por edhe më gjerë. Taktika, teknika dhe metodika e policisë së shtetit tonë Kosovës është për lakmi dhe përkufizim tjetër nuk mund të jap.

Mirëpo zbatimi i politikave në praktikë, që është i destinuar t’i çojë proceset dhe politikat e sigurisë përpara, le për të dëshiruar që nevojitet përmirësim.

Ndërrimi shpesh i pushteteve dhe stagnimi, thënë ndryshe, bartja e kompetencave prej një ministri në tjetrin po paraqet problem të madh në ecjen përpara me politika të sigurisë, të cilat po mbesin në letër, pasojat e të cilave po i vuajmë të gjithë.

Vlen të theksohet se në këtë gjendje të rëndë pandemie që po e kalojmë të gjithë si shoqëri, lajmet janë të mbushura me vetëvrasje, me dhunë në familje, me vjedhje ordinere dhe të rënda, me probleme sociale nga më të ndryshme, rrahje me mjete të forta dhe krejt kjo nëpër shkolla ose afër tyre, gjë që është shqetësuese jashtë mase.

Jemi dëshmitarë të këtyre ngjarjeve të gjithë. Kjo kërkon analizë të thukët dhe veprim imediat të të gjitha institucioneve pa dallim.

Të gjithë duhet të parashtrojnë pyetje se a ka ndodhur kjo dukuri e vetëvrasjeve më përpara, ku qëndron problemi dhe çfarë masash duhen ndërmarrë që këto dukuri të parandalohen me preventivë dhe me një politikë të qartë?!

Si qëndron rinia jonë sot, me çfarë probleme ballafaqohet ajo, gjëra që i dëgjojmë thuajse çdo ditë, përgjegjës është hartuesi i politikave dhe zbatimi i tyre në praktikë.

Mitrovica:

Gjithçka sillet rreth qytetit tim, një qytet shembull për vuajtje dhe sakrificë, çdo politikë është e provuar në këtë qytet të stërmunduar sot e 21 vite. Çdo problem dhe lajm fillon me qytetin tim, tash i ndarë në dy njësi administrative. Kjo është shumë dëshpëruese, por duhet të jetojmë me këtë fakt.

Malet që e rrethojnë këtë qytet janë të mbushura me minerale të llojllojshme, qytet me katër lumenj dhe një liqen, ai i Ujmanit me 24 kilometra (sa të gjitha liqenet e tjera artificiale në shtetin e Kosovës), kurse realisht vuajmë për çdo gjë, dhe kjo është një tragjedi e llojit të vet, është rast për studim që kërkon veprim dhe jo fjalë.

Të gjitha këto i shohim thuajse çdo ditë, të gjithë e dimë, sepse jemi epiqendër e lajmeve për çdo gjë, është qyteti më i rëndësishëm në shtetin tonë Kosovën. Nuk ka njeri në shtetin tonë që nuk e di se pa Mitrovicë nuk ka as Kosovë dhe kjo nuk kërkon asnjë elaborim të mëtutjeshëm.

Përfundim: A do ta ketë Shteti im Kosova një Eliot Ness ku të gjithë do të krenohemi me të, do t’i gëzohemi punës së tij dhe sukseseve të tij? Gjithsesi prej sukseseve të tij do të përfitojmë të gjithë.

A mundet edhe shteti ynë, Kosova, ta ketë një Eliot të vetin, gjithsesi se po, e kemi një polici shembullore dhe shembull në rajon.

A do ta ketë më në fund shteti ynë, Kosova, një Giovanni Falcone, ku do të vepronte në praktikë dhe në vepër pa iu trembur syri, sepse do të punonte për popullin për një jetë më të sigurt që do t’i çonte proceset përpara pa e pyetur askënd anash (nga politika), sepse është i pavarur dhe autonom në punën e tij?

Krejt për fund:

Fjala e Martin Luther King: “I have a dream, që këto të bëhen realitet!”

Pa këto politika të mirëfillta dhe zbatim të tyre, nuk ka as BE as liberalizim. Kur këto qëndrojnë mirë dhe në një baraspeshë, do të kishte trokitur vetë BE-ja në derën e shtetit tonë Kosovës, me fjalët: ju lutem urdhëroni vizat, i kemi sjellë për ju, sepse jemi duke ju monitoruar me raporte javore, mujore dhe vjetore, dhe kushtet i keni plotësuar.

Përgjigjja jonë do të ishte: Faleminderit!

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Basketbollisti i Kosovës, Drilon Hajrizi beson në rezultate pozitive në…