New York heq kufizimet e Covid-19
New York po heq të gjitha kufizimet për koronavirusin pasi 70% e të rriturve të shtetit kanë marrë të paktën një dozë vaksine. Lajmin e ka bërë të ditur Guvernatori Andrew Cuomotw cilin e konsideroi këtë vendim si historik.
Masat anti-covid në mjediset tregtare dhe shoqërore do të hiqen menjëherë. Cuomo tha se disa kufizime bazuar në udhëzimet nga Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të qëndrojnë në fuqi, kryesisht në transportin publik dhe mjediset e kujdesit shëndetësor.
Bizneset nuk do të kenë më nevojë t’u kërkojnë njerëzve të vaksinuar të mbajnë maska dhe të mbajnë gjashtë metra distancë. Banorët e pa vaksinuar duhet të mbajnë ende maska dhe të ruajnë distancën në publik. Atyre mund t’u kërkohet edhe testi negativ i koronavirusit të kohëve të fundit për t’u futur në disa vende .
New Yorku ka vaksinuar plotësisht pjesën më të madhe të të rriturve se çdo shtet tjetër i madh në vend. Vendimi u prit me fishekzjarrë në Empire State Building dhe monumentet e tjera të shtetit morën ngjyrë blu dhe ar, ngjyrat e New York-ut.
Shumica e shteteve amerikane kanë marrë masa për të hequr kufizimet e koronavirusit ndërsa virusi pakësohet dhe vaksinimet përparojnë. New York u bashkua me Kaliforninë, ku kufizimet përfshirë distancën fizike, kërkesat e maskave dhe kufijtë e kapacitetit për restorantet, dyqanet dhe bizneset e tjera që u shërbejnë konsumatorëve janë hequr.