New York Times: Izraeli e dinte prej një viti për sulmin e Hamas, por nuk bëri asgjë që ta ndalte!
Izraeli e dinte planin e sulmit të Hamasit më shumë se një vit më parë. Një raport që doli nga The New York Times zbulon planin e sulmit në detaje. Zyrtarët izraelitë e hodhën poshtë atë thjesht si një dëshirë dhe injoruan paralajmërimet specifike. Zyrtarët e ushtrisë dhe inteligjencës izraelite e hodhën poshtë planin si aspirues, duke e konsideruar atë shumë të vështirë për Hamasin për ta realizuar
Zyrtarët izraelitë kishin informacion të detajuar në lidhje me një plan të Hamasit për të nisur një sulm të paprecedentë ndaj Izraelit. Ata e dinin këtë më shumë se një vit përpara se të ndodhte, por nuk e konsideruan skenarin realist, raportoi e përditshmja New York Times, duke cituar informacione të siguruara prej saj nga burime shtetërore.
Në artikullin shokues të gazetës raportohet se Inteligjenca ushtarake izraelite zotëronte një dokument afërsisht 40 faqesh të siguruar nga lëvizja islamike palestineze që detajonte, pikë për pikë, një sulm si ai i kryer nga anëtarët e krahut të saj ushtarak, Brigadat Ezzedine al-Qassam, më 7 tetor, si rezultat i të cilit rreth 1200 njerëz në Izrael humbën jetën.
Emri i koduar “Jericho Wall”
Dokumenti, i cili u qarkullua në qarqet e inteligjencës izraelite me emrin e koduar “Muri i Jerikosë”, nuk specifikonte se kur do të fillonte sulmi, por përmbante detaje specifike se si do të thyheshin masat e sigurisë të Izraelit, për të bastisur më pas bazat dhe qytetet ushtarake.
Dokumenti afërsisht 40 faqesh përshkruan pikë për pikë, pikërisht llojin e pushtimit shkatërrues që çoi në vdekjen e rreth 1200 njerëzve.
Më konkretisht, dokumenti i referohej breshërisë së raketave dhe dronëve që do të shkatërronin kamerat e sigurisë dhe mitralozët e automatizuar, përpara se luftëtarët të kalonin në anën izraelite me parashutë, me automjete dhe në këmbë – elementë që ishin në qendër të sulmit të 7 tetorit.
Dhe në realitet kjo ndodhi më 7 tetor. Hamasi e ndoqi planin me saktësi tronditëse.
Por, për zyrtarët e Tel Avivit, “nuk mund të konstatohej” nëse plani ishte miratuar “plotësisht” nga udhëheqja e Hamasit, as nëse dhe në çfarë mase mund të bëhej realitet, thuhet në një dokument të brendshëm ushtarak izraelit të marrë nga The New York Times.
Zyrtarët e ushtrisë dhe inteligjencës izraelite e hodhën poshtë planin si aspirues, duke e konsideruar atë shumë të vështirë për Hamasin për ta realizuar.
Në korrik, një analist i njësisë elitare të agjencisë së inteligjencës, Njësia 8200, paralajmëroi se ishin mbajtur seanca stërvitore nga luftëtarët e Hamasit që i ngjanin shumë planit të përshkruar në dokumentin e koduar “Muri i Jerikos”.
Por një kolonel i komandës ushtarake izraelite me përgjegjësi për Rripin e Gazës e përjashtoi skenarin e një sulmi të tillë: ai e quajti atë një “fantazi”.
Sipas raportit të Times, megjithëse dokumenti ishte shpërndarë në hierarkinë ushtarake izraelite, ishte e paqartë nëse kryeministri Benjamin Netanyahu ose anëtarë të tjerë të kabinetit të tij e kishin lexuar ose ishin në dijeni të përmbajtjes së tij.
Udhëheqja politike izraelite deri vonë ka mohuar në mënyrë të përsëritur se diçka dihej paraprakisht.
Zyrtarët privatisht pranojnë se, nëse ushtria do t’i kishte marrë seriozisht këto paralajmërime dhe do të kishte ridrejtuar përforcime të rëndësishme në jug, ku Hamasi sulmoi, Izraeli mund t’i kishte zbehur sulmet ose ndoshta edhe t’i parandalonte ato.
“Dështimi i inteligjencës izraelite më 7 tetor po tingëllon gjithnjë e më shumë si 11 shtatori ynë”, tha Ted Singer, një zyrtar i lartë i CIA-s i pensionuar së fundmi, i cili ka punuar gjerësisht në Lindjen e Mesme.