“New York Times”: Kuvendi i Kosovës krijon ushtrinë, duke sfiduar Serbinë dhe NATO-n
Gazeta prestigjioze amerikane “New York Times” i ka kushtuar një artikull ushtrisë së re të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në mënyrë dërrmuese formimin e një ushtrie nga forcat e saj të sigurisë, një veprim që ka hasur në kundërshtim NATO-s dhe Serbisë fqinje, e cila ka thënë se do ta kërcënonte paqen në rajonin e Ballkanit të shkatërruar nga lufta.
Të 107 ligjvënësit e pranishëm në Kuvendin me 120 vota, kanë votuar në favor të miratimit të tre projektligjeve për ta kthyer Forcën e Sigurisë së Kosovës në 4 000 anëtarë në një ushtri të armatosur lehtë, shkruan “New York Times”.
Ky veprim ishte mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë në një intervistë për “Radio Televizionin e Kosovës” javën e kaluar se “është e natyrshme që Kosova si një vend sovran dhe i pavarur të ketë një aftësi të vetëmbrojtjes”.
Por, Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se procesi do të kërkonte një dekadë për t’i kthyer forcat e sigurisë në një ushtri të gatshme për luftime.
Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, kishte paralajmëruar Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, se vendi do të “ndeshej me pasoja serioze”.
Pas votimit, ai në në një deklaratë në “Twitter” ka shkuar: “Më vjen keq që vendimi për të nisur një ndryshim të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës është bërë pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO. Të gjitha palët duhet të sigurojnë që vendimi i sotëm nuk do të rrisë më tej tensionet në rajon”.
Ai ka thënë se Këshilli Atlantik, organi vendimmarrës i NATO-s, do të duhet të “rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës”.