“New York Times”: Ndërron jetë mbrojtësi i të drejtave të njeriut dhe disidenti Adem Demaçi
Adem Demaçi, një mbrojtës i të drejtave të njeriut që mishëroi rezistencën kombëtare të Kosovës dhe shpesh quhej “Mandela i Ballkanit”, ka vdekur në moshën 82-vjeçare.
Kështu fillon shkrimin mediumi prestigjioz “The New York Times”, duke shtuar se ka qenë nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti ai që ka ndërprerë seancën e parlamentit të ditës së enjte për të kumtuar lajmin se ka vdekur Adem Demaçi, duke thënë se “mësuesi jonë, burri që kaloi 28 vjet në burgjet e Serbisë, ka ndërruar jetë”.
“Parlamenti në Prishtinë ka mbajtur një minutë heshtje dhe ka pezulluar seancën”, shkruan tutje ky medium.
Më pas The New York Times jep një biografi të shkurtër të Demaçit, duke thënë gjithashtu se presidenti Thaçi ka shpallur tri ditë zie.
Ndryshe, me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës Demaçi, u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë.
Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës, përcjell Telegrafi.
Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.
Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.
Ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).
Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptarë, mbi pesë dekada.
Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.
Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta.