“New York Times” për Kadarenë: Lexuesit e gjithë botës habiten si nuk e merr çmimin ‘Nobel’
“Lexuesit e Ismail Kadaresë habiten çdo vit kur komiteti i çmimeve të Nobelit shpallin fituesin. Shkrimtari më i madh shqiptar fitues i çmimit Man Booker International, Çmimit të Jeruzalemit dhe shumë çmimeve e nderimeve të tjera tashmë është 82 vjeç”.
Kështu fillon shkrimi i gazetës së njohur amerikane, New York Times, kushtuar shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare.
Cynthia Haven, e cila është kritike e letërsisë, i ka bërë një analizë romanit “Vajza në ekzil, Requiem për Linda B” ose siç është titulli në gjuhën shqipe “E penguara”, përkthyer në anglisht nga John Hodgson, e botuar në shqip në vitin 2009, shkruan nytimes, transmeton Telegragfi.
Ndërkaq, ajo çfarë veçon kritikja Haven është gjuha shqipe, e bërë ndërkombëtare përmes librave të këtij shkrimtari, ndërsa ndalet dhe tek jeta e tij nën regjimin komunist.
Pastaj, ‘E penguara’ është një roman ku flitet për nostalgjinë e Tiranës. ‘Kafe Flora’, kryqëzimet e rrugëve rreth sheshit “Skënderbe”, kopshtet e Akademisë, në ish-pallatin mbretëror, gjethet e rëna parkun përballë hotel “Dajtit”.
Kjo nostalgji epokash të përziera për kryeqytetin e vendit, merr një ngjyrim të skajshëm dramatik kur jepet nëpërmjet vizionit të një vajze që e ka të ndaluar të shkelë në kryeqytet.
Sipas Kadaresë, “Libri flet për një njeri të penguar. Zakonisht në traditën e letërsisë botërore pengesën e krijon fati, këtu është përshkruar një pengesë e një tipi të ri më të vonshëm se fati, pengesa e shtetit. I kushtohet të gjithë vajzave shqiptare që kanë pësuar internimin dhe jo një emri, apo një tjetri. Vajzat shqiptare kanë thithur brengën shqiptare”.
Ky libër ka marrë vëmendjen e medieve ndërkombëtare që pas përkthimit të tij në gjuhën angleze.
Në fund të kësaj historie Kadare lejon personazhet e tij të shkelin natyrën dhe vdekjen, duke i bërë jehonë gjurmëve të Orfeut. Eurydice e Rudian-it i tregon atij udhëtimin e saj tjetër për të ardhur tek ai – të ftohtit, qenve dhe telit me gjemba që shtrihet kudo. Është një përfundim që ndriçon faqet e fundit si një flakë që shkëlqen me alabastërm, shkruan Cynthia Haven./Telegrafi/