‘News Hub’: Abdixhiku mund të luajë rol kyç në formësimin e trajektores së Kosovës

07 shkurt 2025 | 15:58

Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, po fiton gjithnjë e më shumë përkrahje, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Media “News Hub” e ka vlerësuar lart Abdixhikun si një lider me një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik, forcimin e marrëdhnieve me Shtetet e Bashkuara dhe luftën kundër korrupsionit.

“Fushata e Abdixhikut është fokusuar në angazhimin e drejtpërdrejtë me qytetarët, duke theksuar zgjidhjet ekonomike dhe përkushtimin ndaj reformave qeverisëse. Aftësia e tij për të konsoliduar mbështetjen mes votuesve të moderuar dhe të qendrës së djathtë do të jetë thelbësore për të përcaktuar nëse LDK mund të sfidojë dominimin e Vetëvendosjes”, ka shkruar “News Hub” mes tjerash.

Mediumi shkruan se lideri i LDK-së synon ruajtjen e marrëdhënieve të ngushta me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, ndërsa angazhohet për një dialog konstruktiv me partnerët ndërkombëtarë.

“Në arenën ndërkombëtare, Abdixhiku mbështet integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ai gjithashtu ka mbrojtur një qasje pragmatike në dialogun me Serbinë, duke e vënë theksin te sovraniteti i Kosovës, ndërsa ruan kanale diplomatike për negociata. Një aspekt i rëndësishëm i politikës së tij të jashtme është përafrimi me prioritetet kryesore të ShBA-së në rajon. Ndërsa administrata e mëparshme e Joe Biden ka mbajtur një vijë të vazhdueshme në politikën ndaj Kosovës, retorika dhe fokusi ekonomik i Abdixhikut kanë ngjashmëri me strategjitë e favorizuara nga administrata e Donald Trumpit”, është thënë në këtë artikull.

“News Hub” shkruan gjithashtu për planin e Abdixhikut për 5 miliardë euro buxhet, 5 miliarë euro investime dhe 5 për qind rritje vjetore ekonomike.

“Një nga premtimet kryesore të fushatës së Abdixhikut është rigjallërimi ekonomik. Ai ka propozuar rritjen e buxhetit kombëtar të Kosovës në 5 miliardë euro dhe arritjen e një norme vjetore të rritjes së PBB-së prej 5%, kryesisht përmes investimeve të huaja, zhvillimit të infrastrukturës dhe lehtësimeve tatimore për bizneset. Platforma e tij ekonomike përfshin gjithashtu nisma për krijimin e vendeve të punës, me qëllim uljen e shkallës së lartë të papunësisë tek të rinjtë”, është thënë në artikull.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Finalja e ProCredit Kupës do të vë përballë Bashkimin dhe…