Nexhmedin Spahiu, Lorik Arifaj dhe Naser Thaçi kandidatë për drejtor të përgjithshëm të RTK-së
Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka mbetur pa drejtor të përgjithshëm që nga dorëheqja e Shkumbin Ahmetxhekajt.
Ky televizion ka mbetur edhe pa ushtrues detyre të drejtori, që ishte caktuar Zana Spahiut. Kjo e fundit ka dhënë dorëheqje pas skandalit me lajmin e rremë të “Slobodna Bosnës”, i cili ishte publikuar në lajmet qendrore, e ku “Nacionale” dhe “Periskopi” etiketoheshin si media që financohen nga Serbia.
“Nacionale” ka mësuar se emrat që ia kanë mësyrë pozitës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Këta emra janë Nexhmedin Spahiu, Lorik Arifaj dhe Naser Thaçi.
Lorik Arifaj, i cili ka punuar në këtë televizion prej vitesh, më herët ka qenë edhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm të RTK-së.
Nexhmedin Spahiu, është analist politik i afërt me partinë në pushtet.
Më herët, Spahiu ka qenë edhe kandidat i AKR-së për kryetar të Mitrovicës.
Juristja e mediave Flutura Kusari e ka kritikuar këtë proces qysh në nisje. Sipas saj emrat do të duhej të publikoheshin tri ditë pas mbylljes së konkursit.
“Zarfat me aplikime për pozitën e drejtorit gjeneral të RTK-së hapen më 2 tetor në orën 16.10. Mbledhja është e hapur dhe çdokush mundet me marrë pjesë veç lajmërojeni bordin me e-mail se i kanë ndryshuar rregullat e ju lojnë jashtë tu u kapë për procedure. Procedura e rekrutimit për pozitën e drejtorit po fillon me shkelje ligjore sepse zarfat është dashur të hapen javën e kaluar, 3 ditë pas mbylljes se konkursit”, ka shkruar Kusari në “Facebook”.