Nexhmije Hoxha: Plani për prishjen e banesës është fashist
Bashkëshortja e Enver Hoxhës e ka quajtur fashist planin e Qeverisë së Shqipërisë për të shembur banesën e saj, në kuadër të planit për zgjerimin e Unazës së Madhe.
97-vjeçarja ka thënë të hënën se banorëve u ishte thënë të linin banesat e tyre brenda disa ditëve dhe e cilësoi këtë urdhër si akt tipik fashist, raporton “Associated Press”, që citon mediet vendore.
Më herët, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Afrim Qendro, ka deklaruar se ndërtimi i “Unazës së Madhe” në Tiranë do të shoqërohet me prishjen e një numri ndërtesash që janë të vendosura përgjatë segmentit nga “Pallati me Shigjeta” tek sheshi “Shqiponja”.
Nga verifikimi në terren janë konstatuar 317 objekte që preken nga projekti.
Ndërkohë banorët e Unazës së Re protestuan ndaj projektit që parashikon shembjen e shtëpive dhe bizneseve të tyre.
Nexhmije Hoxha dhe familjarët e ish udhëheqësve kryesorë shqiptarë janë zhvendosur prej kohësh në rrethinat e Tiranës.