Nexhmije Pagarusha, meteor që ndriçoi në qiellin mbarëshqiptar
Tefta Cami, ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës
Ndjeva dhimbje kur dëgjova lajmin se emblema e shkollës së këngës e të muzikës shqiptare ka ndërruar jetë. Natyrisht, vetëm fizikisht, sepse ajo na ka lënë pas mesazhin e pavdekësisë: “Ata që kanë punuar e punojnë për interesat kombëtare në të gjitha fushat e sektorët, kanë mbetur e mbeten gjallë në përjetësi në altarin e kombit shqiptar”.
Na ka lënë zërin e saj melodioz me këngët e saj që do të dëgjohen e frymëzohen breza të tërë shqiptarë në pafundësi. Me zërin e saj të veçantë melodioz e të papërsëritshëm deri tani të qindra e qindra këngëve na ka përcjellë mesazhe filozofike të pafundme të bukurive e pasurive natyrore të trojeve shqiptare këtej e përtej Drinit, që ta duam atdheun dhe popullin tonë. Na ka dhënë mësime e mesazhe të fisnikërisë e burrërisë të shqiptarëve kudo ku jetojnë, të trimërisë e të heroizmit mbarëkombëtar ndër shekuj në luftëra, për ta fituar lirinë e pavarësinë nga pushtuesit e huaj, për të gëzuar, si të gjithë popujt e Evropës dhe të Botës, lirinë, barazinë dhe vëllazërimin me vëllezërit e trojeve shqiptare të ndarë e përçarë në fillim të shekullit të kaluar nga Fuqitë e Mëdha, si asnjë popull tjetër në botë, në gjashtë shtete.
Kisha dëgjuar prej disa vitesh për këngëtaren e shquar shqiptare të Kosovës, Nexhmije Pagarushën. Në vitin 1979 u gëzova që m’u dha rasti si ministre ta pres e të bisedoj me përzemërsi me të në pritjen që i bëra Nexhmijes dhe këngëtarit të shquar Bashkim Paçuku nga Dibra e Madhe, tezja e të cilit, Siadeti, ishte bashkëshortja e axhës tim, si dhe disa instrumentistë. Ishin ftuar nga RTVSh për të bërë incizime të këngëve të fondit të tyre. Biseduam vëllazërisht, aq sa nuk e kuptuam sesi kaloi ora. Sa mirë kemi vepruar, që janë incizuar Nexhmija e Bashkimi në ato vite të lulëzimit të zërit të tyre që, me siguri, ruhen me shumë kujdes në fondin e Arkivit të RTVSh-së. Nga RTVSh gjatë atyre viteve janë incizuar edhe shumë këngëtarë e instrumentistë të tjerë nga Kosova e viset e tjera shqiptare nga Maqedonia e Mali i Zi.
U lumturova që e takova përsëri Nexhmije Pagarushën kur shkova në Kosovë në vitin 2010, me rastin e 30-vjetorit të vizitës time si ministre e Arsimit dhe Kulturës të RPSSh-së. U takuam te familja e të ndierit prof. Ymer Jaka, ish-sekretar i KE të Arsimit, Kulturës e Shkencës të KSA të Kosovës. Pavarësisht nga vitet që kishin kaluar, Nexhmija ruante po atë freski e bukuri, elegancë dhe gjallëri. Aty pata rastin të takoj e ngushëlloj nënën e Ymerit, Deten, e të shoqen Melihanë, si dhe Edi Shukriun për babanë e saj, patriotin Muhamet Shukriun, i cili ka qenë nismëtari dhe organizatori i restaurimit të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. U ngazëllyem me Nexhmijen, që u takuam përsëri në Kosovën e Lirë e të Pavarur, për të cilën kishim ëndërruar e punuar. Nexhmije Pagarusha me talentin e saj ka qenë e mbetet një flakadan, që jepte thirrje të fuqishme, për t’u ndezur zemrat e të gjithë shqiptarëve këtej e përtej Drinit për kushtrim e mobilizim për çlirimin e pavarësinë e Kosovës. E ka kryer me dinjitet misionin ndaj kombit shqiptar!
Me këtë rast u përcjell ngushëllimet e mia familjarëve e të afërmeve, miqve e shokëve dhe gjithë punonjësve të kulturës e të artit shqiptar për largimin nga jeta të misionares së këngës shqiptare, Nexhmije Pagarusha!
Lamtumirë dhe u prehsh në paqe, Nexhmije Pagarusha!
Përkulem me nderim dhe respekt para jetës dhe kontributit të shquar të Nexhmije Pagarushës!