Neymari kryen me sukses një nga ndërhyrjet më të vështira
Neymari iu nënshtrua ditën e enjte ndërhyrjes kirurgjikale në gjurin e majtë teksa u lëndua në ndeshjen e Brazilit ndaj Uruguait më 17 tetor.
Ylli i “Selecaos” dëmtoi meniskun dhe ligamentin, ndaj operacioni ishte i vështirësisë maksimale dhe zgjati plot katër orë. Ishte doktori i kombëtares, Rodrigo Lasmar, ai që mori përsipër këtë ndërhyrje që në fund u cilësua e suksesshme.
31-vjeçari që sapo ishte transferuar në Arabinë Saudite tek Al-Hilal pritet të mungojë për një periudhë të konsiderueshme e cila varion nga gjashtë muaj deri në një vit. Me shumë gjasa, Neymari do të humbasë edhe Kupën e Amerikës e cila zhvillohet në qershorin e vitit 2024 në Amerikë.
Dëmtimet kanë qenë një problem i madh për Neymarin në sezonet e fundit dhe nuk e kanë lejuar të shprehet lirisht në fushë. Ky i fundit ishte padyshim një nga më të rëndët që ka pësuar sulmuesi pasi bëhej fjalë për një dëmtim të dyfishtë.