Neymari: Messi është më i miri në botë
Neymar Jr, i cili po riaftësohet nga dëmtimi në shputën e këmbës (këto ditë ndodhet në Brazil), dha një intervistë për “Esporte Spectacular”, që ka publikuar një pjesë paraprake të asaj që ka thënë ylli i PSG-së.
Kur ishte duke folur për ish-bashkëlojtarin e tij te Barcelona, Lionel Messi, intervista u bë më emocionale për Neymarin. Argjentinasi dhe braziliani ndanë një dhomë zhveshjeje për katër sezone, gjatë kohës së tij në “Camp Nou”, përpara se të transferohej te PSG-ja për një rekord botëror prej 222 milionë eurosh. Neymari arriti te Barcelona 21 vjeç nga Santosi, në vitin 2013, dhe u mor shpejt nën mbrojtje nga Messi.
Edhe në intervistën me “Esporte Espetacular” në “GloboTV” të Brazilit, sulmuesi i PSG-së nuk i mbajti lotët, kur kujtoi kohën e kaluar me superstarin argjentinas. Për këtë të fundit thotë se e ndihmoi në një moment, kur kishte nevojë më shumë për këtë.
“Sinqerisht, është e vështirë, shumë e vështirë për mua që të flas për Messin. Ai ishte shumë i veçantë për mua në Barcelonë, e them këtë për të gjithë. Në momentin kur më duhej mbështetja më e madhe, lojtari më i mirë në botë mbërriti dhe më dha një dorë. Ai më tha: Eja, unë jam këtu për t’ju ndihmuar!” Neymari vazhdoi të shpjegojë se me mbërritjen e tij në Barcelonë, teksa Messi e këshilloi të mos ishte i turpshëm dhe të mos kishte frikë prej atij dhe askujt në klub. Gjatë kohës së tij në “Camp Nou” braziliani shënoi 105 gola në 186 ndeshje. Po ashtu, u vlerësua si lojtari i tretë më i madh në botë, pas Messit dhe Cristiano Ronaldos. Intervista e plotë e tij do të transmetohet në “GloboTV” më 3 mars.