Neymari ndahet përfundimisht nga aktorja braziliane
Tashmë është zyrtare. Neymar është sërish beqar! Sulmuesi i PSG-së dhe aktorja Bruna Marquezine janë ndarë dhe këtë e konfirmon kjo e fundit.
Aktorja bukuroshe braziliane ishte e qartë në deklaratën e saj, në lidhje me përfundimin e historisë së dashurisë me futbollistin.
“Me Neymarin u ndamë dhe ishte vendimi i tij. Nuk ishte një traumë. Mes meje dhe Neymarit ka ende shumë respekt dhe afeksioni kundrejt njëri-tjetrit do të mbetet, ashtu sikurse edhe momentet e bukura që kemi përjetuar së bashku”, tha Bruna Marquezine.
Marquezine dhe Neymar e nisën historinë e tyre të dashurisë në vitin 2013, por pas kësaj ka pasur disa ndarje e bashkime mes tyre, e në vitin 2017 formuan një çift të qëndrueshëm.
Në javët e fundit po flitej për një krizë në marrëdhëniet e tyre për shumë motive. U arrit deri aty sa të thuhej se, mes tyre hyri dhe politika me rastin Bolsonaro. Kjo, sepse Neymar dhe familja e tij kanë shprehur gjithnjë simpatinë për të, ndërsa Bruna Marquezine ishte kundër.
Por, aktorja i hodhi poshtë zërat që flasin për një problem politik në raportet me futbollistin. Në fakt, duket se gjërat në jetën e Bruna Marquezine nuk po shkojnë siç duhet. Pas përfundimit të telenovelës “Zoti shpëtoftë Mbretin”, shfaqjet e saj në ekrane janë zvogëluar ndjeshëm.