Nezir Mehmetaj mbahet në burg në Serbi qe 4 vjet, familja thotë se ai s’ishte në UÇK
Sot u bënë katër vjet prej kur Nezir Mehmetaj nga komuna e Klinës, u prangos dhe po mbahet në Serbi.
Ai po dërgonte nënën për kontroll shëndetësor në Beograd, kur policia serbe e arrestoi nën dyshimin se ishte pjesëtar i UÇK-së, që kinse kreu disa krime në Klinë, gjatë luftës në vitin 1999. Familjarët deklarojnë se Neziri nuk ishte ushtar dhe gjatë procesit gjyqësor, as dëshmitarët nuk e identifikuan se ai ishte pjesë e UÇK-së
Dyert i shtëpisë së familjes Mehmetaj në fshatin Rudicë të Klinës janë të hapura.
E gjithë familja janë në spital të Pejës. Gjendja shëndetësore e nënës së Nezir Mehmetajt, i cili ka katër vjet që po i mbahet në Serbi, është përkeqësuar.
Ajo me të birin u ndanë në pikën kufitare në Merdar, më 7 janar 2020, derisa Neziri po e dërgonte atë për një kontroll shëndetësor në Serbi.
Vitet po kalojnë, e Neziri s’u kthye as në shtëpinë ku u rrit në Rudicë, dhe as te bashkëshortja e fëmijët në Zvicër, ku kishte lejeqëndrim.
Në shtëpinë e Nezir Mehmetajt ishte formuar shtabi lokal i i UÇK-së per fshatin Rudicë ne vitin 1998. Nezir Mehmetaj po mbahet në burgjet serbe nga 4 janari i vitit 2020, nën akuzat për kryerje të krimeve të luftës ndaj popullsisë joshqiptare gjatë luftës në Kosovë.
Por, vëllezërit e tij thanë për RTK-së, prapa kamerave, se ai asnjëherë nuk ka qenë ushtar në luftën e fundit në Kosovë.
Mbrojtja e tij së fundmi u ka kërkuar familjarëve të mos deklarohen për media, sepse po dëmtojnë procesin gjyqësor ndaj Nezirit.
Po rata thanë se gjatë procedurës gjyqësore,që ka zgjatur gati tre vjet, janë dëgjuar dëshmitarë të shumtë. Megjithatë, ata nuk kanë mundur të konfirmojnë nëse Neziri ka marrë pjesë në ngjarjet për të cilat akuzohet.
Vetë Mehmetaj, që nga dita e parë në gjykatore, ka mohuar se ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pasi u zhvilluan 35 seanca në procesin gjyqësor ndaj tij, në qershor 2023, ishte bërë kërkesë që i gjithë procesi të kthehej në rigjykim. Familjarët thonë se atij i është vazhduar masa e paraburgimit dhe se sipas mbrojtjes, aktualisht nuk ka datë për seancë të radhës.
Autoritetet serbe kishin urdhër-arrest aktiv për Nezirin, nën dyshimet se si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në qytetin e Klinës, mori pjesë në vrasjen dhe maltretimin e të paktën shtatë personave, serbë dhe romë.
Institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë kërkuar lirimin apo ekstradimin e Nezir Mehmetajt në Kosovë. Një prej tyre është edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Familjarët shpresojnë se Neziri do të lirohet nga akuzat që ia kanë mveshur autoritetet serbe dhe të kthehet te familja në Kosovë e Zvicër.