Neziraj nënshkruan me Feronikelin
Feronikeli është përforcuar edhe me një tjetër futbollist, duke përforcuar kështu edhe më shumë repartin e mesfushës. Bëhet fjalë për, Haxhi Neziraj, i cili është dakorduar që t’i mbrojë ngjyrat e Feronikelit.
“Neziraj është mesfushor sulmues, i aftë për të luajtur edhe si mesfushor qendror, por edhe në pozicionin mbrapa sulmuesve i njohur si sulmues i dytë. Mesfushori, Haxhi Neziraj, është i lindur më 16 mars 1993, në Luzern të Zvicrës dhe është 1.86m i gjatë”, thuhet në njoftimin e Feronikelit.
Neziraj është i njohur me Superligën e Kosovës, pasi ka luajtur te FC Drita e Gjilanit, ndërsa karrierë ka edhe në Evropë, pasi për shumë vite ishte pjesë e Superligës së Zvicrës, duke mbrojtur ngjyrat e FC Luzern.
Neziraj ka qenë gjithashtu pjesë e Kategroisë Superiore të Shqipërisë, kur gjat vitit 2018, bënte pjesë në skuadrën e Flamurtari FC.
Mesfushori ka gjithsej 4 paraqitje për kualifikimet e Champions League dhe dy të tjera për kualifikimet e Europa League.
Në Superligën e Kosovës, ka gjithsej 27 paraqitje.
/Epoka e re/