Neziri: FC Kosova Düsseldorf synon ngritjen në Oberliga
Qëllimi i FC Kosova Düsseldorf, ngritja në një ligë më lartë në Gjermani dhe fitorja e Superkupës Kosovë-Diasporë ndaj Ballkanit.
Intervistoi: Sadik ZEQIRI
FC Kosova Düsseldorf e themeluar në vitin 1989, nga sezoni 2024/25 luan në ligën gjermane Landesliga. Pas një paraqitje spektakolare të lojtarëve dhe një organizimi të pashoq të mërgatës në këtë qytet të bukur të Gjermanisë, FC Kosova Düsseldorf, është ngritë nga Bezerskliga në një rang më lartë. Sukseset e klubit përpos që erdhën si rezultat i paraqitjes së mirë të lojtarëve edhe angazhimi i pakompromis i kryesisë së klubit në krye me presidentin Bujar Neziri dhe të tjerët të cilët nuk kanë kursyer asgjë, duke dhënë maksimumin për klubin me të vetmin qëllim, që t’i mbajnë afër shqiptarët, por dhe të valojë flamuri shqiptar në këtë republikë gjermane. Këto suksese kanë bërë që klubi i shqiptarëve të merr respektin e të gjithë qytetarëve pa dalim kombi. Ky klub është themeluar në vitin 1989, atëherë edhe kur është suprimuar Autonomia e Kosovës, e që një numër i madh i shqiptarëve të Kosovës, iu kanë bashkuar mërgatës në këtë qytet, por dhe në qytete tjera në Perëndim. Dhe pikërisht ishte mërgata ajo që themeloj klubin, duke i angazhuar lojtarët e asaj kohe për të dhënë kontributin e tyre fizik, ndërsa duke i mbështetur financiarisht shqiptarët të cilët ishin më herët në këtë qytet. Vlen të cekte se në këtë klub në fillet e para kanë luajtur Nadir Haxhimusa, Naim Sojeva, Muharrem Sahiti, presidenti i tanishëm Bujar Neziri, e shumë e shumë tjerë. Si themelues të klubit dhe mbështetës të pakursyer ishin dhe janë Gani Nuha, Naim Konjufca, Enver Shala, Besim Musa, Ekrem Berisha, e shumë tjerë. Njëri ndër ta Gani Nuha, ka munguar fizikisht gjatë periudhës 1998-1999, për arsye se ai iu është bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe ka qenë njëri ndër luftëtarët që ka kontribuar shumë për lirinë e Kosovës. Pas përfundimit të luftës Ganiu është rikthyer prapë në Gjermani për të vazhduar jetën aty ku e kishte lënë dhe për ta mbështetur edhe komunitetin shqiptar si dhe klubin e zemrës FC Kosova Düsseldorf. Për tu njoftuar me shumë rreth klubit dhe sukseseve të saj, ekipi i gazetës “Epoka e re”, ka qëndruar në Gjermani dhe ka pa nga afër situatën e klubit, si dhe ka zhvilluar një intervistë me Presidentin e Klubit, Bujar Nezirin, një humanist dhe sportdashës i cili njëkohësisht së bashku me shumë tjerë është edhe sponzorisues i këtij klubi por edhe qytetar që merr pjesë në shumë aksione humanitare, aty ku e kërkon nevoja dhe koha.
“Epoka e re”: z. Neziri ju jeni president i klubit FC Kosova Düsseldorf, dhe në këtë vit jeni ngritur për një ligë më lartë, që do të thotë se në sezonin 2024/25 ju do të paraqiteni në Landesliga. Cili është qëllimi i klubit gjatë kësaj sezone?
Bujar Neziri: Qëllimi ynë është të freskojmë klubin me disa prurje të reja që të stabilizohemi në mesin e tabelës, por nëse na jepet mundësia të arrijmë edhe qëllimin tonë që të kalojmë edhe këtë ligë.
“Epoka e re”: Klubi kishte filluar me disa ndryshime, a e keni pa të nevojshme të bëni këto ndryshime duke filluar nga trajneri e tutje?
Bujar Neziri: Po kemi marrë një trajner që është i nivelit tjetër, është maroken dhe e njehë mirë Landesligën. Po ashtu kemi marrë edhe katër përforcime deri tani si dhe jemi në bisedime edhe me dy lojtarë tjerë. Fatkeqësisht kemi larguar disa lojtarë të cilët i falënderojmë për kontributin e tyre, por mundësitë financiare i kemi të vogla që t’i mbajmë, kështu që i kemi shkëputur kontratat me ta.
“Epoka e re”: Z. Neziri, cili është klubi më i suksesshmi prej shqiptarëve në Gjermani?
Bujar Neziri: Unë mendoj që klubi më i suksesshmi ndër shqiptar dhe më i trofeshmi është FC Kosova Dusseldorf. Është edhe Kosova Rengesburg një klub shumë i mirë, mirëpo ajo është në rangun e 7, ndërsa ne jemi në rangun e 6-shtë në ligën gjermane. Jemi edhe me organizim më së miri, sepse i qëndrojmë klubit afër me financa, por dhe me mbështetje morale. Unë vet kam luajtur në këtë klub prej themelimit deri në vitin 2001. Në këtë klub kanë luajtur edhe lojtarët e ligës së parë të Kosovës dhe të ligës së dytë të cilët kanë ardhur për të jetuar në Gjermani si Nadir Haxhimusa, Naim Sojeva, Shaban Maloku, Rexhep Murseli, Muharrem Sahiti, Ismet Haliti etj. Pra deri më tani i kemi kaluar katër liga për të ardhur në këtë ligë ku jemi. Në këtë qytet është Fortuna e Dyseldorfit prej ekipeve më të mëdha e cila garon në Ligën e Dytë të Gjermanisë ndërsa ekipi FC Kosova Düsseldorf, është prej ekipeve të këtij shteti e dyta si më e ranguara. Dhe është mirë për lexuesit tuaj të bëjmë me dije se ekipi ynë ka luajtur lojë miqësore me Fortuna Dyseldorf në vitin 1998 dhe të gjitha mjetet e tubuara i kemi dërguar për Kosovë.
“Epoka e re”: Z. Neziri, për të mbijetuar një klub duhet të ketë një fond të madh financiar. Si po ia dilni në krye me të gjitha ato paga, për lojtarë, për trajnerë dhe për stafin tjetër teknik, për pagesën e fushës pasi që ju si klub nuk keni as fushë sportive. A ju ndihmon shteti gjerman apo ju dhe mërgata e vetëfinanconi klubin?
Bujar Neziri: Na i kemi 54 sponsorë dhe të gjithë e ndihmojnë klubin pa asnjë përfitim e interes. Në si kryesi këto para që i marrim asnjë cent nuk e shpenzojmë të sponsorëve, dhe si kryesi i heqim shpenzimet me buxhet tonin vetanak, ndërsa parat e sponsorëve i shpenzojmë për lojtarë, dhe për çdo gjë raportojmë para kryesisë dhe sponsorëve tanë. Me siguri që edhe suksesi ynë është serioziteti i kryesisë para lojtarëve dhe sponsorëve. Ne jemi munduar që mos ta kemi vetëm një, por të kemi shumë sponsosorë e jo të mbetet klubi vetëm në një sponsor sepse edhe ne mund të kemi telashe gjatë udhëtimit biznesor dhe më pas rrezikohet klubi, kështu që kemi shumë sponsor dhe e ndajmë barrë mbi të gjithë.
“Epoka e re”: Këtu në Diasporë keni edhe një Federatë të Futbollit të Diasporës, si i keni raportet me ta, a u vizitojnë ndonjëherë?
Bujar Neziri: Po këtu në Diasporë kemi Federatën e Futbollit, por fatkeqësisht ajo federatë është kot, sepse nuk i ndihmon dhe nuk e viziton asnjë klub shqiptar në Gjermani. Në Gjermani kemi 46 ekipe shqiptare ndërsa në turnin për Kupën e Diasporës në Gjermani kanë marrë pjesë vetëm 6 ekipe, kjo do të thotë se ne mendojmë që kjo Federatë është e kotë këtu sepse nuk kemi mbështetje rreth organizmit të këtyre eventeve as financiare e as organizative, por dhe asnjë kontakt përmes saj nuk e kemi as me Federatën e Kosovës e leje me organizatat sportive gjermane. Dhe çka është më e keqja se edhe kur luhen garat e fituesit të kupës së diasporës dhe asaj të Kosovës, në Kosovë, Federata nuk na i mbulon asnjë shpenzim, të këtij takimi dhe ne duhet si klube të kujdesemi edhe për akomodim edhe për udhëtim edhe për bileta, madje ne duhet edhe zyrtarëve të Federatës së Futbollit të Diasporës t’ia paguajmë biletat e udhëtimin, akomodimin dhe ushqimin, sikur të janë pjesë e klubit. E kjo është për turp të zotit. Për kontributin tonë për sensibilizimin e sportit të Kosovës në vitin 1997 me iniciativën time Reprezentacioni i Kosovës e ka luajt lojën e parë jashtë Kosovës në Dyseldorf, dhe këtë e dinë mirë të gjithë dhe për këtë arsye ne si klub duhet të kemi vëmendjen edhe të FFK-së në Kosovë, sepse kontributi ynë është i jashtëzakonshëm në aspektin sportiv dhe human.
“Epoka e re”: Z. Neziri, klubi juaj është edhe fitues i Kupës së Diasporës, çka do të thotë kjo. Çka më tutje?
Bujar Neziri: Po ne jemi fitues të Kupës së Diasporës për vitin 2024, ne si klub kemi fituar edhe në vitin 2022 Kupën e Diasporës, ku jemi ndeshë me Llapin në Kosovë, ndërsa këtë vit në muajin tetor do të ndeshemi me fituesin e Kupës së Kosovës, Ballkanin e Suharekës. Por ditë me parë kemi marrë një njoftim se një herë do të luhet edhe një ndeshje në mes fituesit të Kupës në Gjermani dhe fituesit të Kupës në Zvicër, dihet të klubeve shqiptare, dhe fituesi i këtij takimi atëherë do të përballet me Ballkanin e Suharekës, e ku mund të them me përgjegjësi të plotë se ne do të fitojmë ndeshjen kundër shqiptarëve të Zvicrës, pastaj për të fituar edhe kundër Ballkanin. Edhe pse dihet që klubi i Ballkanik ka një organizimi të mirë, është e fortë financiarisht, ka lojtarë të talentuar, ka lojtarë që mbrojnë ngjyrat e Reprezentacionit të Kosovës, luan në garat evropiane por ne atje do të shkojmë për të fituar. Lojtarët e FC Kosova Duseldorf, futbollin e kanë si punë të dytë, pasi që ata të gjithë janë të angazhuar edhe në punë dhe ushtrojnë pas orarit të punës, ndërsa lojtarët e Ballkanit, ushtrojnë pesë herë në javë dhe janë të përgatitur më mirë se ne, po ashtu lojtarët e Ballkanit kanë paga më të mira se lojtarët tonë, por megjithatë ne shkojmë në Kosovë për të treguar aftësitë tona dhe për të fituar nëse mundemi.
“Epoka e re”: President, duke i pa kapacitetet e lojtarëve të FC Kosova Düsseldorf, a ka ne mesin tuaj, ndonjë lojtar që është i gatshëm t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës, pasi siç deklaruat edhe më herët se Landesliga gjermane është si e barabartë me Ligën e Parë të Kosovës?
Bujar Neziri: Shumë faleminderit për këtë pyetje. Nuk mund të them me përgjegjësi të plotë që kemi lojtar të përgatitur për reprezentacion e Kosovës, tani për tani. Pse e them këtë, sepse këtu ne klubin tonë kemi talente të jashtëzakonshëm, siç janë Astrit Hyseni pastaj Enis Vila por dhe tjerët, megjithatë këta lojtarë fatkeqësisht nuk e kanë përgatitjen fizike të mjaftueshme sepse këta këtu punojnë edhe punë tjera dhe kjo është arsyeja. Po të kishin vetëm futbollin primar, atëherë këta do të kishin qenë të pazëvendësueshëm në Reprezentacionin e Kosovës. Ne në klub moshën mesatare e kemi 24-vjeç të lojtarëve dhe kjo është shpresëdhënëse që do të arrijmë suksese që të ngritët në RegionaLiga e ku atëherë do të jemi gjysmë profesional dhe mendoj se do të jemi një furnizues i vogël për përfaqësuesen e Kosovës. Siç e thash edhe më lartë, ne shteti këtu në Gjermani nuk na ndihmon fare, dhe ne vet me kontributin tonë me sponsor, paguajmë fushën ku luajmë si vendas e ku lojtarët tanë ushtrojnë, pastaj kur të udhëtojmë po ashtu udhëtimet i mbulojmë vet e kështu me radhë.
“Epoka e re”: President pasi nuk keni fushë tuajën të klubit, a keni menduar që të blini një hapësirë apo edhe stadium të gatshëm?
Bujar Neziri: Po ne e kemi një stadium këtu që e paguajmë qiranë për ta shfrytëzuar, por njëherë përnjëherë duhet të kemi një burgjet të madh për të hyrë në këto investime. Si kryesi kemi menduar që të fillojmë më grupmosha të reja që të punojmë dhe që të ngrihemi në nivelin profesional si klub e me pas në bazë të mundësive të ngjitemi në nivel tjetër organizativ. Në si klub kemi shumë shikues sepse në çdo lojë që luajmë kemi shikueshmëri të madhe deri në tremijë shqiptarë vijnë e na përcjellin. Bile na thonë skuadrat tjera gjermane dhe të nacionaliteteve tjera se kur është gjiroja që luajnë kundër ekipit tonë edhe ekipet kundërshtare gëzohen sepse tribunat e tyre mbushen me shikues. Ne si ekip kemi shikueshmërinë më të zjarrtë në këto liga.
“Epoka e re”: President Neziri, qytetarët të njohin jo vetëm si sportdashës dhe drejtues i klubit FC Kosova Düsseldorf, por edhe si një humanist i madh. Çka mund të na thuash më shumë?
Bujar Neziri: Po faleminderit për ata që më vlerësojnë kështu, unë përpos sportit si aktiv, unë kam edhe një biznes timin, dhe jam aktiv edhe në organizime humanitare duke kontribuar edhe vet. Të them të drejtën unë kam edhe në familjen time persona me aftësi të kufizuar dhe jam shumë i kujdesshëm për këtë shtresë të shoqërisë. Unë isha një ditë në vendlindje në Kosovë dhe aty në një bisedë e sipër me disa shokë na lindi ideja që të ndihmojmë Shoqatën e Hendikosit në Ferizaj. Pasi që në Komunën e Ferizajt janë mbi 1 000 persona me aftësi të kufizuar dhe që nuk kanë objekt se ku mund të kalojnë kohën e lirë, atëherë kemi formuar një Këshill Iniciues dhe kërkuam nga Komuna e Ferizajt që të na ndajë një parcelë për ta ndërtuar një objekt për nevoja të Hendikosit. Komuna na dha parcelën dhe në menjëherë organizuam një darkë humanitare me biznesmen edhe të Kosovës edhe të diasporës e ku mblodhëm një shumë të konsiderueshme të të hollave, mbi 200 mijë euro. Pastaj para dy muajsh deputeti Elmi Reçica organizoi një takim në Ferizaj që e quajtëm “kafja e bamirësisë” dhe aty kemi tubuar rreth 180 mijë euro duke kontribuar të gjithë me aq sa kishin mundësi. Deri më tani i kemi mbledhur 400 mijë euro, ndërsa na duhet edhe rreth 200 mijë euro për ta përfunduar objektin në tërësi me pajise të nevojshme dhe kushte elementare që i nevojitet një personi të hendikepuar. Dhe për këtë arsye këto ditë kemi organizuar edhe një koncert humanitar që bashkatdhetarët të na bashkohen në ndihmë të ndërtimit të objektit të Hendikosit, në Ferizaj. Dua tua bëjë me dije se nuk do të thotë që këtu do të ndalemi, por do të vazhdojmë të kontribuojmë dhe të mbështetim çdo iniciativë nëpër të gjitha komunat e Kosovës, që tu ndërtojmë objektet e tyre Hendikosit.