Nga 1 dhjetori pritet rritje e çmimit të energjisë në Kosovë
Evropa, tash e disa muaj është duke u përballur me krizën e energjisë, për shkak të rritjes së çmimit të gazit përfshirë këtu edhe disa faktorë.
Si pasojë e kësaj konsumatorët janë duke paguar fatura më çmime më të larta.
Në Kosovë është pesëfishuar çmimi i importit të energjisë, ndërsa rritje e çmimit të energjisë elektrike është paraparë nga 1 dhjetori i këtij viti.
Kështu ka bërë të ditur për Demokracia.com, zëdhënësi i Kompanisë kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, i cili tha se kanë bërë kërkesë në Zyrën për Rregullatorin e Energjisë (ZRRE) që të këtë rritje prej 7 për qind për tarifat që do të hynin në fuqi nga 1 dhjetori.
“Ne kemi aplikuar për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor në ZRRE. I takon këtij institucioni të vendosë lidhur me këtë. Ndryshe, kërkesa jonë është që të këtë rritje prej 7 për qind për tarifat që do të hynin në fuqi nga 1 dhjetori. Por, ne nuk jemi njoftuar ende që ZRRE të këtë marrë ndonjë vendim”, tha Buzhala.
Ndërsa, pritet që fatura e energjisë elektrike nga muaji prill të vitit të ardhshëm, qytetarëve të Kosovës të iu vijë mbi 30 për qind më e lartë se aktualisht.
“Sa i përket vitit të ardhshëm, çdo vit bëhet shqyrtimi i rregullt i tarifave në bazë të kërkesës së kompanive të rregulluara për tarifat që hyjnë në fuqi nga data 1 prill. Ne nuk mund të spekulojmë, pasi edhe procesi ku edhe bartës edhe pala vendimmarrëse është ZRRE. Por, në bazë të parametrave aktual, pra nëse nuk ndryshojnë, atëherë kërkesa për rritje sigurisht që do të jetë së paku për 30 për qind”, tha Buzhala për Demokracia.com.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë Evropiane të Statistikave, qytetarët e Kosovës aktualisht janë duke paguar çmimin më të ulët të energjisë elektrike, krahasuar më shtetet e rajonit. Ata paguajnë rreth 6 centë për 1 kilovat për orë.
Në Mal të Zi qytetarët paguajnë çmimin më të lartë të energjisë elektrike, rreth 10 centë për 1 kilovat për orë, Shqipëria renditet më pas me rreth 9.5 centë, në Bosnjë dhe Hercegovinë qytetarët paguajnë rreth 9 centë, kurse në Seri dhe Maqedoninë e Veriut për 1 kilovat për orë, qytetarët paguajnë rreth 8 centë.
Kriza energjetike që ka goditur Evropën prej muajsh po reflektohet edhe në Kosovë.
Bazhala tregoi se ka filluar rritja e konsumit të energjisë në Kosovë, e cila ka shtyrë KEDS që të importojë energji me çmim 5 fish më të lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Por, në bazë të parametrave, rritja duket e pashmangshme. Kjo, pasi konsumi po rritet në krahasim me vitin e kaluar më së paku 20 për qind. Kjo nënkupton import më të madh. E çmimet e importit janë në qiell aktualisht, mbi 5 fish në krahasim me vitin e kaluar. Kjo varet edhe nga prodhimi vendor. Nëse njësia B1 shkon në revizion të planifikuar nga data 1 prill, impakti do të jetë edhe më i madh”, tha Buzhala për Demokracia.com.
KEDS njofton se ditë më parë importi i një megavati të energjisë elektrike u ka kushtuar 325 euro, për dallim nga dita e njëjtë e vitit të kaluar që ka kushtuar 63 euro.
Sa i përket ngarkesave në rrjet gjatë sezonit të dimrit, Buzhala tha se janë të përgatitur dhe sipas tij këto ngarkesa do të përballohen.
“Kemi investuar fuqishëm në zonat ku ato janë paraqitur më herët. Për shembull në Prishtinë kemi dyfishuar kapacitetet aty ku kanë qenë zona akute. Investime janë bërë edhe gjithandej Kosovës. Por, nëse vazhdon ky trend i konsumit, atëherë në ndonjë zonë paraqitja e mbingarkesave edhe mund të paraqitet, pasi rrjeti elektrik nuk është i përgatitur që të shërbejë edhe për ofrimin e ngrohjes masive”, tha Buzhala.
Ditë më parë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka kërkuar nga qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike për ngrohje.
“Çmimet e energjisë elektrike të importit janë rritur pesëfish, në krahasim me vitin e kaluar dhe një vit normal. Rrjedhimisht është një gjendje e jashtëzakonshme, në të cilën secili prej nesh duhet të bëjë gjithçka që është e mundur brenda kapaciteteve të tij, në mënyrë që kjo krizë ta prek Kosovën”, tha Rizvanolli.
Rizvanolli ka treguar se sistemet e ngrohjes aktualisht mbulojnë vetëm rreth 5 për qind të nevojave dhe sipas, moskursimi i energjisë do të thotë rritje e tarifave.