Nga 1 janari 2018 aplikohen masat lehtësuese për prodhuesit vendor

17 dhjetor 2017 | 16:12

 

Ministria e Financave (MF) ka njoftuar prodhuesit vendor se janë finalizuar të gjitha procedurat ligjore për fillimin e implementimit të vendimeve për lirimin nga tatimi doganor dhe i akcizës për të gjitha subjektet e regjistruara si prodhues pranë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

“Duke filluar nga një janari 2018, të gjithë prodhuesit të cilët importojnë vet apo përmes kontraktorëve do të lirohen nga tatimi doganor, për lëndën e parë, gjysmë produktin, linjat e prodhimit, pajisjet e teknologjisë informative si dhe më pas do të lirohen nga Tatimi i akcizës të gjitha produktet të cilat marrin pjesë si lëndë ndihmëse në procesin e prodhimit”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Gjithashtu MF-ja ka njoftuar bizneset prodhuese se këto janë vetëm masat e para për këta tre muaj të mandatit qeveritar, përkatësisht mandatit të ministrit të Financave (MF).

Ministri i Financave, Bedri Hamza, është deklaruar shumë herë publikisht se prioritet i tyre është zhvillimi i sektorit privat dhe se ky sektor do të jetë bartës i zhvillimit ekonomik.

Ai ka thënë se përmes rritjes së zhvillimit ekonomik dhe luftimit të informalitetit do të ketë trajtim të barabartë për të gjitha bizneset. Masat e ndërmarra do të ndikojnë në realizimin e të hyrave buxhetore siç është paraparë edhe në Buxhetin e vitit 2018.

Po ashtu MF-ja, ka njoftuar opinionin se nuk do të ketë asnjë tatim të ri dhe se nuk do të këtë rritje të tatimeve ekzistuese. “Ministria e Financave do të vazhdojë me masa të reja fiskale dhe lehtësuese për biznesin në fillim të vitit të ri 2018, ku janë paraparë ndryshime dhe plotësime të legjislacionit tatimor siç janë, Ligji për Procedurën dhe Administratën Tatimore, Ligji për Tatimin në Korporata, Ligji për TVSh-në, Ligji në të Ardhura Personale duke përfshirë edhe Kodin e Doganave dhe Akcizave”, është thënë në njoftimin e MF-së.

Sipas MF-së, në thjeshtimin e procedurave për nxjerrjen e dokumentacionit do të ketë shkurtim të kohës dhe procedurave burokratike të kthimit të TVSh-së, shtyrje të TVSh-së në lëndë të parë me rastin e blerjes e cila prodhohet në Kosovë, kontrolle të thjeshtësuara dhe të përbashkëta ATK-Doganë, eliminim të kontaktit fizik të inspektorëve me tatimpagues dhe do të ketë zhvillim të sistemit të TI-së për komunikim të ATK-së dhe Doganës me tatimpaguesit. “Do të ketë edhe shumë ndryshime tjera me qëllim që prodhuesit tanë të jenë konkurrentë si brenda po ashtu edhe jashtë vendit”, është thënë në njoftimin për medie.

Po ashtu, Ministria e Financave ka njoftuar se asnjë ndryshim nuk do të ndodhë pa pëlqimin e komunitetit të biznesit, i cili është partner në vendimmarrje së bashku me këtë ministri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra kampione e vjeshtës, Llapi është përforcuar me dy lojtarë…