Nga 1 janari në Shqipëri do të taksohen edhe disa profesione të reja
Nga 1 janari 2024 të gjithë personat fizikë tregtarë apo të vetëpunësuarit si profesionistë të lirë nuk do të trajtohen më si biznes i vogël me 0% tatim, por do të jenë pjesë e skemës 15-23% sipas të ardhurave të deklaruara.
Pas miratimit nga qeveria, tashmë është publikuar në Fletoren Zyrtare lista me profesionet që preken nga ky regjim i ri.
Lista është e ndarë në 26 lloje aktivitetesh, të ndara në 169 profesione, ndër të cilët përfshihen operatorët turistikë, avokatët, kontabilistët, vlerësuesit e pasurive të paluajtshme, shërbimet IT, muzikantët, mjekët, dentistët, sportistët etj.
Për herë të parë pjesë e skemës së re të taksimit, janë edhe personat që përfitojnë të ardhura nga platformat Tik-Tok, Instagram, You Tube, të cilët do të tatohen 15%.
Në komisionet parlamentare gjatë diskutimit të buxhetit 2024, Ministri i Financave Ervin Mete, tha se nga taksimi i këtyre profesioneve, buxhetit të shtetit do t’i shtohen plot 30 mln euro.
Sipas tij përfshirja e këtyre profesioneve në sistemin e taksimit ndodhi për shkak se shumë individë ofronin shërbimin e tyre për kompani të ndryshme ndërkohë që nuk paguanin tatim.