Nga 1 janari ‘Pastrimi’ inkason faturat e amvisërisë në Prishtinë
Qytetarët e amvisërisë në Komunën e Prishtinës nga ky muaj faturat e mbeturinave do t’i pranojnë nga Kompania “Pastrimi”, gjë të cilën nga viti 2018 deri më 31 dhjetor 2024 e ka bërë Komuna e Prishtinës.
Drejtues të kompanisë “Pastrimi” kanë bërë të ditur, se kështu e parasheh rregullorja e re, ndërsa pritet që Komuna e Prishtinës t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
Kompania “Pastrimi” ka paralajmëruar se nga 1 janari ka filluar me inkasimin e faturave për klientët e amvisërisë, gjë të cilën deri tash e ka bërë Komuna e Prishtinës.
Zëdhënësja e Kompanisë “Pastrimi”, Arbnora Ademi, i tha Radio Kosovës se rregullorja e cila është ndryshuar në fund të vitit 2024, e parasheh që kjo kompani nga ky muaj të bëjë faturimin e mbeturinave për amvisërinë. “Të gjithë klientët në Komunën e Prishtinës faturat e amvisërisë nga data 1 janar të këtij viti do t’i paguajnë në Kompaninë ‘Pastrimi’. Në fundvit rregullorja është korrigjuar nga Kuvendi Komunal dhe në bazë të kësaj rregulloreje që aktualisht është legjitime, kjo përgjegjësi ka kaluar te Kompania “ Pastrimi” dhe tani kompania jonë do të bëjë inkasimin”, tha ajo.
Në lidhje më këtë çështje, e cila ka krijuar paqartësi te qytetarët, nga Komuna e Prishtinës kanë theksuar se Ndërmarrja “Pastrimi”, bazuar në një vendim të miratuar nga Kuvendi Komunal në fund të vitit 2024, është përgjegjëse për faturimin e mbeturinave për qytetarët e amvisërisë nga 1 janari 2025.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, në një përgjigjeje me shkrim për Radio Kosovën tha se komuna ka ngritur disa shqetësime mbi procesin e miratimit të këtij vendimi dhe se komuna është në proces të përgatitjes së një ankese në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e vendimit të Kuvendit Komunal. “Lidhur me çështjen e shpërndarjes së faturave nga Ndërmarrja ‘Pastrimi’ dhe konfuzionin e krijuar te qytetarët, ju informojmë si vijon: Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar një vendim që i jep të drejtë Ndërmarrjes publike ‘Pastrimi’ për të kryer inkasimin e mjeteve për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave të amvisërisë. Deri tani, ky proces është menaxhuar nga Komuna e Prishtinës, e cila ka mbledhur mjetet dhe ka kontraktuar ndërmarrjen për kryerjen e shërbimit. Megjithatë, komuna ka ngritur disa shqetësime të bazuara ligjërisht mbi procesin e miratimit të këtij vendimi. Lidhur me këtë, komuna ia ka adresuar një ankesë MAPL-së, mirëpo deri tani nuk kemi marrë përgjigje nga kjo ministri. Në vend të saj, kemi marrë një përgjigje nga Ministria e Ambientit, të cilën e kontestojmë për shkak të mospërputhjeve që kemi identifikuar me dispozitat ligjore dhe kushtetuese”, ka theksuar ai.