
Nga 1 marsi patentëshoferët e Kosovës të barabartë me ata të Austrisë
Nga 1 marsi, zyrtarisht patentëshoferët e Kosovës, do të njihen edhe në Austri. Lajmin e ka bërë me dije Ambasada e Austrisë.
Në njoftim thuhet se, patentë-shoferët kosovarë u njohën në Austri më 1 shtator 2023, me miratimin e marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së Transportit në nenin 23 të Ligjit për Patentë Shoferët (FSG).
“Bazuar në këtë, mbajtësit e patentë-shoferëve kosovarë kanë të drejtën të drejtojnë automjetet përkohësisht në Austri. Nëse qëndrojnë mbi 6 muaj në Austri ose vendosin vendbanimin në Austri, duhet të konvertojnë patentshoferin kosovar. Megjithatë, patentë-shoferët kosovarë nuk ishin të barabartë me ata austriakë, ndaj konvertimi kërkonte një provim praktik të vozitjes”, thuhet në njoftim.
Ambasada e Austrisë shpjegon edhe ndryshimet procedurale që kanë ndodhur. “Tani, me ndryshimin e rregullores përkatëse, që nga 1 marsi 2025, patentëshoferët e Kosovës të të gjitha kategorive do të jenë të barabartë me patentëshoferët austriakë. Kjo do të thotë se patentëshoferët kosovarë, që nga ky moment, mund të konvertohen në Austri pa pasur nevojë për një provim praktik të vozitjes, nëse qëndrohet mbi 6 muaj në Austri ose vendoset qëndrimi i përhershëm në Austri”, thuhet në njoftimin për medie, duke bërë me dije se me këtë ndryshim të rregullores, Austria plotëson një kërkesë të rëndësishme dhe konkrete të ekonomisë dhe të gjithë atyre që posedojnë një patentshofer të shtetit të Kosovës.