Nga 1 shtatori qytetarët lejohen të kalojnë në Austri me patentë shoferë të Kosovës
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri, ka bërë të ditur se nga 1 shtatori i 2023, qytetarët janë të lejuar që me patentë shofer të Kosovës të udhëtojnë për në këtë shtet.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri njofton se që nga data 1 shtator 2023, pas ndryshimit të Ligjit Federal të Austrisë dhe aktit respektiv normativ lejohet kalimi nëpër Austri me patentë shofer të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Nga ministria është treguar edhe kategoritë që përfitojnë nga ky lehtësim.
“Qytetarët e Kosovës që në Austri ndodhen si vizitorë, qytetarët e Kosovës që nëpër Austri kalojnë transit, qytetarët e Kosovës që kanë qëndrim të përkohshëm në Austri”.
“Ky lehtësim nuk vlen ende për të gjithë ata qytetarë të Kosovës, të cilët në Austri kanë qëndrimin e tyre të rregullt me leje qëndrimi”, sqarohet tutje.
Po ashtu është shtuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin e tyre intensiv për njohjen e plotë të patentë shoferëve.
Për të cilët është thënë se do të lehtësojë konvertimin dhe zëvendësimin e plotë të lejes së patentave për qytetarët e Republikës së Kosovës me leje qëndrimi afatgjatë në Austri.
Edhe nga 11 shkurti i 2022, Gjermania ka njohur patentën për shoferët e Kosovës.
Këtë e kishte bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.
“Kënaqësi e veçantë të takoja pjesën më të madhe të Ministrave të Transportit të 16 landeve gjermane në prag të votimit të njohjes së patentë shoferëve të Republikës së Kosovës”.
“Edhe me i lumtur, kur nga 69 votat e përgjithshme të Bundesratit, Republikës tonë nuk i mungon asnjë vote”, kishte shkruar Ajeti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte bërë të ditur se kanë nisur procedurat që e njëjta të bëhet edhe nga shteti i Kanadasë.