Nga 22 nëntori mbahet “Java Kulturore e Konsullatës” në Dyseldorf
Për nder të festave të nëntorit dhe 2-vjetorit të punës të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Dyseldorf të Gjermanisë do të organizohet “Java Kulturore e Konsullatës” duke filluar nga 22 deri më 28 nëntor 2021.
Hapja e javës kulturore do të fillojë me ekspozitën personale të titulluar: “Identiteti im” nga piktori i mirënjohur kosovar, njëkohësisht profesor në Universitetin e Prishtinës, Xhevdet Pantina.
Ekspozita do të jetë e hapur në objektin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovë në Dyseldorf, ku qytetarët do të kenë rastin dhe mundësinë për të soditur ekspozitën nga afër.
Aktivitete të shumta dhe të ndryshme do ta karakterizojnë këtë javë, duke filluar me promovimin e tri librave, inaugurimin E bibliotekës së konsullatës, aktivitetet me “Shkollën Shqipe”, takime me veteranët, aktivistët, artistë, sportist, si dhe me shoqata të ndryshme.
Në kuadër të aktiviteteve kulturore do të mbahet edhe koncerti festiv “Albanian Classic” nga Trio Osmanaj, artistë të mirënjohur të muzikës klasike.
Qëllimi i kësaj jave është promovimi i vlerave të mirëfillta kulturore dhe artistike para mërgatës dhe publikut të huaj.