Nga 345 raste të dokumentuara të dhunës seksuale, 11 për qind janë nën moshën 18-vjeçare

14 prill 2021 | 13:53

Nga 345 raste të dokumentuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, 11 për qind e rasteve kanë ndodhur kur të dhunuarat kanë qenë nën moshën 18-vjeçare.

Këto të dhëna janë bërë me dije gjatë prezantimit të raportit “E drejta për të vërtetën – viktimat pa emër”, i cili është hartuar nga  Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT)

Fatmire Haliti, udhëheqëse e këtij raporti ka thënë se të dhënat janë mbledhur nga 345 të mbijetuar të dhunës seksuale në Kosovë.

“Gjatë këtij grumbullimi janë intervistuar 345 të mbijetuar. Vlen të ceket se 11 për qind e rasteve që janë evidentuar dhe që në kohën e përjetimit të dhunës seksuale janë nën moshën 18- vjeçare”.

“Nga 345 rastet e dokumentuara, 325 janë  gra e vajza dhe 20 janë burra e djem. Nga rastet e dokumentuara 6 për qind e viktimave i përkasin komunitetit joshumicë (romë, boshnjak, ashkali e egjiptian), 11 për qind e rasteve të dokumentuara janë fëmijë të cilët në kohën e përjetimit të dhunimit seksual ishin nën moshën 18-vjeçare. Dhunimet gjatë luftës më shumë kanë ndodhur në fshatra se sa në qytete, 63 për qind në fshatra, ndërsa 37 për qind në qytete”, ka thënë Haliti.

Ndërsa drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, ka thënë se qëllimi i  publikimit të këtij dokumentimi  ka ardhur si pasojë e mungesës së punës dhe dëshirës për këtë grumbullim nga institucionet.

“Është e rëndësishme ky grumbullim pasi institucionet kanë dështuar në grumbullimin e këtyre të dhënave që më vonë pastaj  tu shërbejnë edhe gjeneratave të ardhshme që të dinë për të kaluarën e luftës dhe dhunën e bërë”,  ka thënë Rushiti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
PSG-ja ia doli të hakmerret ndaj Bayernit për atë finale…