Nga 780 aplikacione, statusi i viktimës së dhunës seksuale u njihet 144 personave
Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë konfliktit të fundit në Kosovë [1998-‘99], deri më tani ka pranuar mbi 780 aplikacione nga persona që pretendojnë se janë viktimë e dhunës seksuale.
Statusi i viktimës së dhunës seksuale të luftës, mundësohet përmes ligjit përkatës.
Minire Begaj, kryetare e këtij Komisioni qeveritar thotë për “Radion Evropa e Lirë” se nga ky numër, 144 personave u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale dhe shumica prej tyre tanimë realizojnë pensionin nga shteti.
Begaj sqaron se prej numrit total të aplikimeve shumica janë femra, derisa janë shqyrtuar aplikacionet e 15 meshkujve, ku 6 prej tyre tashmë kanë fituar statusin e viktimës së dhunës seksuale.
Sipas saj, nga aplikacionet të cilat janë shqyrtuar deri më tani janë refuzuar 103 raste.
“Të gjithë këtyre që i është refuzuar statusi ata mund të aplikojnë me kërkesë për rishqyrtim prapë në Komision, nëse kanë ndonjë provë të re. Ajo pse ne i kemi refuzuar ka qenë mosbindja me provat që kanë sjellë. Por, kjo nuk do të thotë se ne përfundimisht e kemi refuzuar për shkak se janë mundësitë tjera të rishqyrtimit”, thotë Begaj.
Ky numër i aplikuesve, konsiderohet i vogël bazuar në të dhënat e prezantuara nga institucionet e Kosovës, ku theksohet se gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimeve seksuale.