Nga Berisha e Broja deri tek Arbër Hoxha, zbulohen numrat që do të mbajnë në fanellë kuqezinjtë
Kur na ndajnë 6 ditë nga sfida e parë e Shqipërisë në fazën finale të Euro2024, që do të luhet më “Signal Induna Park” të Dortmundit, Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar edhe listën e plotë të numrave që do të mbajë në fanellë secili prej 26 djemve të grumbulluar nga tekniku Sylvinho.
Sulmuesi kryesor i Shqipërisë duket se do të jetë Armando Broja, të cilit Silvynho i ka besuar pozicionin e titullarit në dy sfidat miqësore me Lihteshtejnin dhe Azerbajxhanin.
Këtë duket se e konfirmon edhe fakti që bomberi i Chelseat do të mbajë mbi supe numrin 11.
9-shi i kombëtares do të vijojë të jetë Jasir Asani dhe “motori” i mesfushës kuqezi, Nedim Bajrami do të veshë fanellën me numrin 10.
Ndërkohë, pas zbarkimit të djeshëm në Dusseldorf, kombëtarja shqiptare udhëtoi menjëherë drejt Kaiseraut, kampit bazë ku do të qëndrojë përgjatë përgatitjeve në Euro Gjermani 2024.
Pas akomodimit në qendrën sportive, trajneri Sylvinho dhe stafi teknik kanë vendosur t’i lënë lojtarët pushim të dielën.
Të hënën, skuadra kombëtare do të vijojë normalisht seancat stërvitore që do të jenë si zakonisht të hapura për mediat, për 15 minutat e para.