Nga bregdeti drejt Krujës së Skënderbeut
Dibran Demaku
Kruja dhe Skënderbeu janë binom i pandarë dhe i papërsëritshëm në historinë e kombit shqiptar
Një ditë pas vizitës në Berat, sot, derisa qëndrojmë në plazh, nën rrezet e ngrohta të korrikut, im bir (i vogli), i impresionuar nga çfarë kishte parë në Berat, shprehet:
– Babi, po sikur të bëjmë edhe ndonjë vizitë në ndonjë qytet tjetër? Mjaft ditë kaluam në plazh. A ka Shqipëria edhe ndonjë qytet tjetër po aq të bukur sa Berati?
– Shqipëria ka shumë qytete të bukura si Berati! – ia kthej dhe vazhdoj: – Por për pak ditë sa kemi pushim nuk mund t’i vizitojmë që të gjitha.
– Na kanë mbetur edhe dy ditë pushim dhe unë mendoj se për këtë kohë të mbetur mund ta vizitojmë edhe ndonjë qytet tjetër – insiston edhe më tutje im bir.
– Ti mendon se ne duhet ta “sakrifikojmë” edhe një ditë plazhi? – ia kthej.
– Nuk e di si mendoni ju të tjerët por, nëse pyetem unë, më me dëshirë do ta vizitoja ndonjë vend kulturor-historik të Shqipërisë sesa të rri tërë kohën këtu në plazh.
Ime shoqe dhe im bir (i madhi) e dëgjojnë bisedën tonë dhe nuk thonë gjë. Unë dua ta marr edhe mendimin e tyre.
– Çfarë mendoni ju në lidhje me kërkesën e Dardanit?!
Njëzëri ma kthejnë: – Përse jo! Sa më shumë që shohim aq më mirë.
– Atëherë e kam unë një propozim – shtoj. – Pas dy ditësh do ta marrim rrugën e kthimit për Kosovë. Pasi që qyteti i Krujës është në atë drejtim, mund ta vizitojmë në ditën e kthimit. Nëse vendosim për një gjë të tillë, në ditën e kthimit duhet të nisemi herët në mëngjes.
Pas një heshtjeje të shkurtër që të gjithë pajtohen.
Sot u zgjuam herët. I përfunduam të gjitha formalitetet dhe u përshëndetëm me personelin e hotelit ku qëndruam rreth dhjetë ditë. Po ia mësyjmë Krujës.
Pak kilometra para Krujës, në horizont duken disa kodra të larta. Im bir më pyet:
– Babi, do ta vizitojmë qytetin që na ke thënë apo do t’i vizitojmë ato kodra të larta që shihen në horizont?!
Unë duke qeshur ia kthej: – Do ta vizitojmë qytetin e Krujës. Krujën e Skënderbeut.
Im bir sikur nuk po u beson fjalëve të mia, andaj ma kthen: – Babi, po tallesh me ne?!
– Prit dhe pak dhe do të shohësh! – ia kthej, por këtë herë pa të qeshura. (Unë po vija për herë të katërt në qytetin historik dhe e dija se pas pak do të shfaqej në horizont qyteti madhështor i Krujës, në shpat mali).
Nuk kaluan shumë minuta dhe në horizont u shfaq qyteti i bukur dhe madhështor i Krujës. Shtëpitë dhe pallatet e ngritura në shpat mali nga larg dukeshin sikur kishin mbirë nga toka.
Po hyjmë në qytetin e Krujës. Në qytetin e Skënderbeut. Kruja dhe Skënderbeu janë një binom i pandarë dhe i papërsëritshëm në historinë e kombit shqiptar. Kruja dhe Skënderbeu i kishin bërë të njohura Shqipërinë dhe kombin shqiptar në krejt botën e atëhershme të mesit të shekullit pesëmbëdhjetë. (Bota e messhekullit të pesëmbëdhjetë, e kohës së Skënderbeut, ishte më e vogël se kjo e tashmja, sepse atëherë nuk ishte zbuluar ende Amerika).
Qëndresa e Skënderbeut dhe e shqiptarëve në luftë përballë perandorisë më të madhe të kohës, Perandorisë Osmane, e kishte mahnitur Evropën e atëhershme dhe më gjerë. Strategu i luftës për liri, Kalorësi i Krishterimit, siç ishte emëruar Skënderbeu nga Papa i kohës, kishte dalë fitues në beteja me hordhitë e Perandorisë Osmane për njëzet e pesë vjet me radhë.
Makina jonë po ngjitet rrugëve zigzage të Krujës. Nga xhamat e makinës shohim shtëpitë dhe pallatet e qytetit që sikur maten me kodrat përbri.
– Ua, ja përmendorja e Skënderbeut! – e thyen heshtjen im bir (i vogli). – Sikur të ndaleshim pak dhe të bënim ndonjë fotografi! – shpreh dëshirën.
– Prit vetëm pak derisa të gjej një vendparkim! – ia kthen im bir (i madhi) që po nget makinën.
Pas pak minutash jemi para përmendores së Skënderbeut. Bëjmë fotografi para saj.
– Babi, një përmendore e tillë ndodhet edhe në Prishtinë – e thyen sërish heshtjen im bir (i vogli).
– Vetëm se kjo e ngritur këtu në shpat mali duket disi më e bukur dhe më madhështore! – shton.
– Përmendoret e Skënderbeut kudo ku ndodhen janë krenare dhe madhështore, sepse vetë vepra dhe jeta e Skënderbeut ishin madhështore dhe të papërsëritshme! – ia kthej tim biri.
Po ecim rrugëve zigzage të Krujës. Synim yni janë Kalaja e Krujës dhe Muzeu Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Nëpër rrugica eksponate të ndryshme të Krujës dhe të Skënderbeut, flamuj kombëtarë, rroba dhe veshje të ndryshme kombëtare.
Hymë në kala. Mure të kalasë së kohës së Skënderbeut, por edhe ndërtime të mëvonshme, të gjitha në kujtim të heroit tonë kombëtar. Duam t’i shohim dhe prekim që të gjitha. Para muzeut shumë turistë të huaj presin në radhë për të hyrë brenda. Afrohemi edhe ne. Im bir (i madhi) me kamerë xhiron çdo pjesë dhe çdo detaj. Në hyrje të muzeut një anëtar i personelit i afrohet tim biri dhe me mirësjellje i thotë: – Në ambientet e brendshme të muzeut xhirimet dhe fotografimet janë të ndaluara. Im bir, në vend të përgjigjes me fjalë, e mbyll kamerën. Hyjmë brenda në Muze. Gjithçka në vendin e vet, e rregulluar si është më së miri. Që në hyrje na pret Skënderbeu me bashkëluftëtarë në skulpturën e bukur dhe madhështore në të bërë në mur nga skulptorë shqiptarë. Neve dhe një grup vizitorësh shqiptarë na shoqëron një ciceron i gjuhës sonë të bukur shqipe dhe na tregon të gjitha dhomat dhe katet e muzeut. Na tregon edhe për të gjitha betejat dhe fitoret e Skënderbeut dhe të luftëtarëve të tij në luftë me Perandorinë më të madhe të kohës. Na tregon edhe përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut… – Kjo përkrenare dhe kjo shpatë janë kopje të përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut, pasi që origjinalet ndodhen në Muzeun e Vjenës në Austri – thotë ciceroni.
Shikoj nga im bir (i vogli) i cili dëshiron të thotë diçka. Më afrohet dhe në vesh, me një zë që mezi e dëgjoj, më thotë: – Babi, a guxoj ta pyes diçka? – dhe bën me shenjë nga ciceroni.
– Mund ta pyesësh – i them.
– Përse u dashka që përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut të rrinë në muzeun e Vjenës e jo në vendin e tyre?! – e dëgjoj zërin e tim biri. Të gjithë të pranishmit e kthejnë shikimin nga im bir i cili pret përgjigjen.
– Thashë dhe pak më parë, jeta dhe vepra e Skënderbeut që në gjallje të tij kishin kaluar kufijtë kombëtarë dhe ishin bërë të njohura në krejt Evropën dhe më gjer! – përgjigjet ciceroni dhe vazhdon: – Andaj pas vdekjes së tij gjithkush dëshironte të kishte diçka nga armët apo veshjet e tij. Se si kanë arritur përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut në Muzeun e Vjenës nuk mund të them asgjë me saktësi, por mund të them se ne shqiptarët duhet të jemi krenarë që Muzeu i njohur vjenez mban dhe ruan me xhelozi diçka nga heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu! – thotë shoqëruesi dhe ne vazhdojmë vizitën.
Derisa dalim nga Muzeu, im bir (i vogli) më thotë:
– Nuk e kuptoj, babi, përse nuk kemi ardhur më herët këtu. Të të them të vërtetën, kjo ardhje e jona është shumë e vonuar. Do të duhej që këtu të na kishe sjellë së paku dhjetë vjet më parë.
– Para dhjetë vitesh ti ke qenë një fëmijë dhjetëvjeçar. Ardhjen këtu nuk do ta përjetoje si sot – ia kthej unë.
– Nuk e di se si do ta përjetoja para dhjetë vjetësh, por sot mund të them me plot gojën se nga ajo çfarë pashë dhe përjetova sot në Kalanë e Krujës dhe në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jam vërtet krenar që jam shqiptar! – ma kthen im bir.
Tash që po dalim nga ndërtesa e Muzeut, një grup prej rreth dyzet turistësh polakë po presin të hyjnë në të. Rrezet e diellit të kësaj pasditeje korriku kanë rënë në muret e muzeut plot shkëlqim. Po ecim sërish rrugëve zigzage të Krujës dhe po marrim rrugën e kthimit për në Kosovë. Po ecim me mendimin se kjo nuk do të jetë vizita e vetme në Krujën e Skënderbeut. Ne do të vijmë edhe shumë herë të tjera në Krujë, sepse çdo ardhje në Krujën e Skënderbeut është dhe do të jetë një përjetim i veçantë.
Krujë, 2011