Nga Brukseli Pacolli paralajmëron njohjen e Kosovës nga disa shtete të fuqishme
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka qenë i pranishëm në takimin në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e kryediplomates të Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini.
Pacolli në një prononcim për mediet, ka thënë se gjatë këtij takimi është biseduar për tema të përgjithshme, raporton “Epoka e re”.
Ai ka thënë se procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të përfundojë as sot dhe as nesër.
“Nuk është proces që mund të kryhet sot ose nesër, por është një proces i gjatë”, ka deklaruar Pacolli.
Pacolli ka thënë se problemet në mes të dy vendeve do të artikulohen gjatë procesit të dialogut.
Kryediplomati i Kosovës, ka hedhur poshtë zërat se gjatë këtij takimi është biseduar për demarkacionin me Serbinë. “Nuk është folur për demarkacionin”, ka deklaruar Pacolli.
Duke iu referuar deklaratës se homologut serb, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se Serbia është e gatshme për kompromis me Kosovën, Pacolli ka thënë se vendi ynë e ka bërë kompromisin me pakon e Ahtisaarit.
Më tutje, Pacolli ka folur edhe për procesin e njohjeve. Ai ka thënë se Kosova është shumë konstruktive në këtë drejtim.
Në këtë kontekst, Pacolli ka thënë se dhjetëra shtete të fuqishme janë në proces të njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
“Jemi shumë konstruktive. Ne jemi duke krijuar miqësi. Kemi me dhjetëra shtete të fuqishme të cilat janë në proces të njohjes”, ka thënë Pacolli, duke mos përjashtuar as pesë vendet anëtare të BE-së të cilat nuk e ka njohur Kosovën.
Pacolli ka thënë se procesi i njohjeve është i pandashëm. Krejt në fund, ai edhe një herë ka përgënjeshtruar zyrtarët serbë se ka pasur tërheqje të njohjes nga disa shtete duke përfshirë edhe Liberinë.
“Sa i përket tërheqjes se njohjes mund të them se nuk ka pasur tërheqjes të njohjeve”, ka deklaruar Pacolli.
/Epoka e re/