Nga dekoratat presidenciale, pullat postare e deri te urdhrat kalorsiakë – nderimet që iu bënë artistëve shqiptarë që ia ndritën fytyrën popullit
Viti 2022 ka qenë vazhdimësi e sukseseve për shumë prej artistëve shqiptarë, veçanërisht të atyre me famë ndërkombëtare.
Disa prej tyre e vizituan vendin e tyre përgjatë këtij viti, e gjersa të tjerë korrën sukseset në arenën botërore të artit.
Të shumta ishin mirënjohet, dekoratat e nderimet që iu bënë artistëve të suksesshëm të vendit.
Telegrafi ju sjell në vazhdimësi disa prej dekorimeve më të shquara të bërë gjatë vitit 2022.
Rita Ora me urdhrin “Naim Frashëri” dhe pullën postare në Kosovë
Më 6 shtator, këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora organizoi një koncert falas në qendër të Tiranës, në kuadër të projektit “Tirana kryeqytet evropian i rinisë”.
Ajo interpretoi disa nga hitet e saj më të mëdha, gjersa përgjatë ditëve të qëndrimit në kryeqytetin shqiptar, Ora realizoi vizita të rëndësishme si ajo me të rinjtë në Liceun Artistik apo me stafin e organizatës UNICEF, organizatë në të cilën Rita është e shpallur ambasadore.
Më 5 shtator, Rita pati një nga ditët më të rëndësishme në karrierën e saj.
Ajo u mirëprit në Presidencën e Republikës së Shqipërisë nga presidenti i vendit, Bajram Begaj, i cili e dekoroi atë me titullin “Naim Frashëri”, në nder të poetit të madh e të mirënjohur shqiptar.
Me duar në zemër, interpretuesja e hitit “Shine Your Light” e mori me krenari dekoratën në fjalë.
Ndërkohë, vetëm pak muaj më parë – këngëtares Ora iu bë një tjetër nderim i veçantë.
Figura e saj u bë pjesë e thesarit të pullave postare të Filatelisë së Postës së Kosovës.
Ajo gjendet tashmë në pullat postare të Kosovës si figurë e shquar e vendit, gjersa një nderim të tillë i ishte bërë edhe gjyshit të saj, regjisorit të njohru Besim Sahatçiu.
“Ndihem shumë mirënjohëse sot. Faleminderit Posta e Kosovës për befasinë e bukur të veçantë për ditëlindjen time. Jam nderuar me një pullë postare zyrtare (nëse doni fytyrën time në të gjithë letrat tuaja) jam e lumtur dhe e nderuar që jam pranë gjyshit tim Besim Sahatçiu, i cili u vlerësua po aq për kontributin e tij në Art dhe Film”, kishte shkruar Rita Ora në Facebook, pas pranimit të mesazhit se është nderuar me pullë postare.
Dua Lipa me dekorimet ‘Ambasadore Nderi e Kosovës’, pullë postare dhe pasaportë shqiptare
Edhe artistja tjetër shqiptare me renome botërore, Dua Lipa, i pati të shpeshta viztat e saj në trojet shqiptare këtë vit.
Fillimisht, gjatë muajit gusht ajo u gjend në Kosovë për edicionin e tretë të festivalit ‘Sunny Hill’, ku mes të tjerash realizoi vizita të rëndësishme me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, e më pas me kryeministrin Albin Kurti.
Por një nga ditët më të rëndësishme të Lipës mbeti vizita në Presidencën e Republikës së Kosovës më 7 gusht, ku ajo u dekorua me titullin “Ambasadore Nderi e Kosovës” nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Ky titull iu dha asaj në nder të sukseseve të saj të shumta në rrafshin global përsa i përket muzikës, dhe njëherësh promovimit të vazhdueshëm që ia ka bërë vendit të saj.
Ndërkohë, më 6 gusht ajo zhvilloi një vizitë në Postën e Kosovës, ku gjithashtu iu dhurua një mirënjohje në kuadër të inkoorporimit të imazhit të saj në thesarin e pullave postare të Filiatelisë së Kosovë.
“Faleminderit shumë. Faleminderit shumë. Do të vazhdoj të punoj çfarëdo që mundem që ta ngris Kosovën edhe më lartë”, ishte shprehur artistja e hitit “New Rules” gjatë pranimit të pullës postare.
Ndërkohë, vetëm pak muaj më vonë ajo u gjend në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, për të performuar në një koncert recital në 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Një ditë para se të mbushte një shesh plot e për plot me mijëra të pranishëm, Lipa pranoi një nga nderimet më të mëdha që mund t’i bëhej në jetën e saj.
Ajo pranoi nënshtetësinë shqiptare nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Dua e bëri betimin e saj në Bashkinë e Tiranës para Kryetarit Erion Veliaj, gjersa u shpreh mirënjohëse që tashmë përveç pasaportës britanike, ka edhe atë angleze në xhepin e saj.
“Unë Dua Dukagjin Lipa betohem me besnikëri ndaj shtetit shqiptar dhe për respektim ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë” – ishte teksti i lexuar nga Veliaj i cili mori konfirmimin “Betohet” nga artistja e hiteve ndërkombëtare.
Jim Belushi me mirënjohjen ‘Kulla e Sahatit të Tiranës’
Në kuadër të projektit ‘Tirana – kryeqytet evropian i rinisë’ u parapa edhe një vizitë e aktorit të madh shqiptar me famë interncionale, Jim Belushi.
Më 20 tetor, ai vizitoi kryeqytetin shqiptar, ku u mirëprit në Bashkinë e Tiranës nga Kryetari Erion Veliaj.
Si dhuratë mirënjohjeje, Belushit iu dhurua trofeu i sahat kullës të Tiranës, si nderim për promovimin e vendit të tij.
Me këtë rast, u zbulua se aktori i Hollywoodit është në realizim e sipër të një dokumentari, i cili i dedikohet Shqipërisë.
“Shikoni kush na ka ardhur për vizitë! I madhi Jim Belushi po realizon një super dokumentar për Tiranën, që do të shfaqet në një nga mediat kryesore amerikane – një dhuratë e çmuar për promovimin e kryeqytetit shqiptar, të cilin e do shumë. Faleminderit Jim”, kishte shkruar Veliaj pas dekorimit të aktorit.
Shkëlzen Doli me ‘dekoratë nderi të meritave’ nga Republika e Austrisë
Muzikanti i mirënjohur shqiptar, Shkëlzen Doli, pranoi këtë vit një nga mirënjohjet më të mëdha të karrierës.
Më 16 dhjetor, ai u prit në Kancelarinë Presidenciale Hofburg të Vjenës, nga presidenti i Austrisë Dr. Alexander Van der Bellen.
Ky i fundit i dhuroi muzikantit me origjinë nga Gjakovë irënjohjen me titullin “Dekoratë nderi për merita në shërbim të Republikës së Austrisë”.
“Një vizitë shumë e veçantë në Kancelarinë Presidenciale Hofburg të Vjenës, për t’u nderuar me titullin “Dekoratë nderi për merita në shërbim të Republikës së Austrisë’ nga presidenti austriak Dr. Alexander Van der Bellen. Ndjehem i privilegjuar dhe shumë mirënjohës”, kishte shkruar maestro Shkëlzen Doli pas pranimit të kësaj dekorate.
Mirënjohje të tilla vazhdojnë të dëshmojnë çdo herë e më tepër burimin e pashtershëm të talenteve të artit nga trojet mbarëshqiptare. /Telegrafi/