Nga e premtja hyjnë në fuqi masat e reja anti-Covid, shtatë komuna në karantinë
Kryeministri Avdullah Hoti ka bërë me dije se nga dita e premte do të hyjnë në fuqi masat e reja anti-Covid-19.
Këto masa të reja janë ndarë në tri grupe, raporton “Epoka e re”.
Hoti ka thënë se shtatë komuna të Kosovës pritet të hyjnë në karantinë nga dita e premte, teksa ka thënë se nga ora 19:00 në këto komuna do të ketë edhe orë policore për qytetarët deri në orën 5:00 të mëngjesit.
Komunat me këtë vendim do të jenë: Prishtina, Podujeva, Gjakova, Gjilani, Ferizaj, Fushë Kosova, Obiliqi dhe Shtimja.
“Në zonë të kuqe janë shtatë komuna, Prishtina, Podujeva, Gjakova, Gjilani, Ferizaj, Fushë-Kosova, Obiliqi dhe Shtimja. I kemi marrë dy veprime, e lejojmë aktivitetin ekonomik të zhvillohet deri në orën 19:00 me specifikat e manualit për mbrojtje nga koronavirusi. Nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik vendoset kufizim i plotë i qytetarëve, orë policore nga ora 19:00 në këto komuna. Ndalohen hyrje-daljet në këto komuna nga ora 19:00”, ka deklaruar Hoti.
“Komuna me rrezik të ulët, kemi lejuar operatorët ekonomikë të punojnë nga ora 5:00 deri në orën 20:00, kemi rregulluar transportin publik. Kemi rregulluar edhe veprimtarinë e qendrave tregtare deri në orën 20:00, pastaj opsioni merr me vete. Grupi i dytë me rrezik të mesëm: punojnë nga ora 5:00 deri në orën 18:00, gastronomia po ashtu deri në orën 18:00. Është rregulluar po ashtu transporti. Qendrat tregtare punojnë deri në orën 18:00”, ka thënë ai.
Hoti ka thënë se këto masa do të bëhen publike sot pas mbledhjes së qeverisë.