![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/05/NINTCHDBPICT000622347616.jpg)
Nga Haaland te Pogba, zbulohet kush do e drejtojë “perandorinë” Raiola
Vdekja e papritur e super-agjentit Mino Raiola e tronditi pafund botën e futbollit, duke qenë se nën menaxhimin e tij gjendeshin yje si Ibrahimoviç, Pogba e Haaland.
Padyshim që familja dhe futbollistët nën menaxhim do t’ia ndiejnë mungesën gjeniut të merkatos, por për më tepër tregu i transferimeve nuk do të jetë më i njëjti pas vdekjes së Raiolës.
Teksa vazhdojnë të publikohen detaje mbi gjendjen e tij mjekësore dhe problemet që çuan deri në humbjen e jetës, të gjithë janë kuriozë se ç’do të ndodhë me “perandorinë” që agjenti i ndjerë krijoi ndër vite.
Mediat ndërkombëtare së fundmi kanë zbuluar identitetet e një grupi të vogël personash që do të mbikëqyrin tratativat e merkatos së kësaj vere për futbollistët e menaxhuar prej tij.
Sipas prestigjiozes gjermane “Bild”, trashëgimtari i të gjithë punës së realizuar prej Raiolës do të jetë i biri Mario, dhe agjencia do të shndërrohet në një biznes të mirëfilltë familjar.
Ndërkohë bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në këtë rrugëtim do të jenë edhe nipi i agjentit, Vincenzo, i besuari i tij Jose Fortes Rodriguez, avokatja Rafaela Pimienta dhe zëdhënësja për mediat Enricha Tarchi.
Raportohet gjithashtu se ky grupim i vogël do të vazhdojë të procedojë sipas rregullave të trashëguara nga Raiola, për të arritur realizimin e marrëveshjeve multi-milionëshe.
Edhe pse yje si Zlatan Ibrahimoviç, Matias De Light dhe Paul Pogba i kanë konfirmuar besnikërinë agjencisë së të ndjerit Raiola, përflitet se ish-kolegë të tij do të përfitojnë nga fatkeqësia pasi i pari futbollist që zgjodhi të braktiste rrugëtimin është sulmuesi i Borussia Monchengladbach, Marcus Thuram.