Nga historia te misteri: Çka lexojnë kosovarët?

09 qershor 2024 | 16:57

Me “Flokëkuqen” e shkrimtarit turk, Orhan Pamuk, në dorë, Shaban Shkodra po vizitonte dhjetëra stenda me libra që kishin zënë një hapësirë të madhe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Për plot pesë ditë të kësaj jave, aty qëndroi i hapur panairi i librit “Prishtina 2024”.

“Çdo vit blej diçka, romane të mira, përmbajtje të mira… por që e kanë çmimin e lirë”, thotë Shkodra.

Panairi u ofroi sivjet lexuesve rreth 6.000 tituj, prej të cilëve 2.000 të rinj.

Llojshmëria varionte nga librat për fëmijë deri tek ata me tema fiktive, nga historia, krimi e të tjera. Çmimet ishin po ashtu të ndryshme: 5 euro, 7, 30….

Fatime Hasani, me profesion mjeke, po kërkonte tituj me përmbajtje psikologjike, por edhe disa për fëmijët e saj.

“Jam e interesuar në diçka të qetë, ku relaksohesh, e gjen vetveten… Ndoshta edhe për vajzat e mia… Pra, për tri lloje të grup-moshave”, thotë ajo dhe vazhdon kërkimin.

Me mendje të ndarë ishte edhe Fahri Avdiu. “Jam fokusuar në librat e historisë, meqë edhe vetë jam historian”, u shpreh ai.

Pamje nga Panairi i librit "Prishtina 2024".Pamje nga Panairi i librit “Prishtina 2024”.

 

Ofertat karshi kërkesave

Panairi i librit “Prishtina 2024” ka traditë 25-vjeçare. Edicioni i parë i tij është organizuar menjëherë pas luftës, në vitin 1999.

Panairi nuk është organizuar vetëm në vitet 2020 dhe 2021, për shkak të pandemisë COVID-19.

Botues nga Kosova dhe Shqipëria, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, thonë se ofertat e tyre edhe sivjet janë ndërlidhur me kërkesat e tregut, por edhe me kultivimin e shijes së lexuesve potencialë.

Në një stendë të përbashkët dhe mjaft të madhe ishin radhitur titujt e Shtëpisë Botuese “Artini” nga Kosova, të Institutit Albanologjik të Kosovës, si dhe të shtëpive botuese “Toena”, “Living” dhe “Dudaj” nga Shqipëria.

Artin Ahmeti
Artin Ahmeti

Përfaqësuesi i përbashkët i tyre në panairin në Prishtinë, Artin Ahmeti, thotë se në mesin e autorëve mjaft të kërkuar janë ata të librave historikë.

“Do të thotë, libra të shkruar nga akademikë të huaj – janë kryesisht përkthime – si: Oliver Schmidt, Noel Malcolm, Robert Elsie… Këta që janë më në zë. Por, vërehet që kërkohen shumë edhe librat me parapsikologji, të zhvillimit personal etj.”, thotë Ahmeti.

Kristina Golemi, redaktore në Shtëpinë Botuese “Dituria” nga Tirana, ka përvojë të ngjashme me lexuesit në Kosovë. Thotë se ata preferojnë kryesisht librat shkencorë historikë dhe romanet me këtë përmbajtje.

Kristina Golemi
Kristina Golemi

Krahas tyre, ajo numëron edhe zhanret triler, mister…

“Mund të përmend këtu ‘mbretëreshën e krimit’ , Agatha Christie. Një emër tjetër shumë i pëlqyer në Kosovë është romancieri Milan Kundera, e pastaj shkrimtari Umberto Eco”, thotë Golemi.

Sipas saj, kërkohen shpesh edhe romancat e autoreve Lucinda Riley dhe Anne Jacobs.

Për drejtorin e panairit, Edon Zeneli, oferta e botuesve dhe kërkesa e lexuesve “takohen diku në mes”.

Edon Zeneli, drejtor i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.
Edon Zeneli, drejtor i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Ai thotë se panairin, çdo vit, e vizitojnë mesatarisht rreth 30.000 njerëz.

“Botuesit sjellin në panair libra që konsiderohen vlera në letërsinë botërore, por në mjaft raste u përshtaten edhe kërkesave të lexuesve dhe sjellin edhe libra që janë në modë”, thotë Zeneli për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, lexuesit kërkojnë vazhdimisht libra, qoftë në librari apo përmes postës elektronike e rrjeteve sociale, ndërsa vetë panairin ai e quan “festë të librit”, ku “autorët komunikojnë me lexuesit”.

Se sa libra janë shitur në edicionet e kaluara të panairit, por edhe në të sivjetmin, Zeneli thotë se nuk ka informacione të sakta.

Ai thotë se shtëpitë botuese pjesëmarrëse e ruajnë sekretin afarist dhe nuk ofrojnë detaje lidhur me shitjen.

Vizitorët në Panairin e Librit.
Vizitorët në Panairin e Librit.

Librin e marrin “ata që vërtet e duan”

Bota, aktualisht, jeton në epokën e digjitalizimit dhe libri fizik nuk është forma e vetme informative për atë që sjellin shkrimtarët vendorë e botërorë, thotë shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, Ag Apolloni, profesor në Universitetin e Prishtinës.

Disa tituj librash të prezantuar në një stendë gjatë edicionit të 24-të të Panairit të Librit në Prishtinë.
Disa tituj librash të prezantuar në një stendë gjatë edicionit të 24-të të Panairit të Librit në Prishtinë.

Blerja e librave, në përgjithësi, “nuk mund të jetë siç ka qenë dekada më parë”.

“Librin tash e marrin vetëm ata që vërtet e duan”, thotë ai.

Apolloni shton se epoka digjitale nuk është se e ka rrezikuar krejtësisht librin fizik.

Ai thotë se rrjetet sociale, në disa aspekte, kanë ndikuar në popullarizimin e librave dhe të autorëve, madje edhe të atyre të shekujve të kaluar.

“Është paradoks që shkrimtari më i famshëm në Tik-Tok është Franz Kafka. Pra, është zgjuar interesimi përmes Tik-Tokut për Franz Kafkën”, thotë Apolloni.

Dhe, siç e thotë vetë Kafka, “nëse libri që e lexojmë nuk na zgjon me një goditje në kokë, për çfarë po e lexojmë?”. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar në lidhje me…