Nga Instituti Hidrometeorologjik thonë se në disa pjesë të Gjakovës mund të ketë vërshime
Në disa pjesë të Gjakovës mund të ketë vërshime të shpejta.
Kështu ka thënë Bashkim Kastrati nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, për Klan Kosova. Ai tha se këto reshje që kanë përfshirë tërë vendin gjatë orëve të pasdites, do të shndërrohen në reshje të borës, sidomos në zonat më të larta malore.
“Në përgjithësi nuk ka vërshime, por në disa pjesë të komunës së Gjakovës (pjesa perëndimore), lumenjtë të cilët rrjedhin nga Bjeshkët e Nemuna, pra Ereniku me degët e tij mund të paraqesin vërshime të shpejta, shkaku i reshjeve të shiut të cilat kanë filluar më herët në atë zonë. Por këto reshje që kanë përfshirë tërë vendin gjatë orëve të pasdites do të shndërrohen në reshje të borës, sidomos në zonat më të larta malore”, tha Kastrati.
Kujtojmë se IHMK ka paralajmëruar gjatë ditës së sotme që do të ketë reshje shiu të cilat gjatë natës do të shndërrohen në borë.