Nga Italia në Dragash javën e kaluar erdhën shumë mërgimtarë
Një dyndje e mërgimtarëve ishte vërejtur javët e fundit kur koronavirusi mori hov nëpër Evropë. Kosovarët që jetojnë në shtete evropiane, mjaft shumë në numër u nisën për në vendin e tyre.
Të njëjtën gjë kanë bërë edhe qindra kosovarë që jetojnë në Itali, të cilët u frikësuan nga trendi i madh i koronavirusit në këtë shtet.
E vetëm në një fshat të Kosovës mësohet se kenë ardhur qindra të tillë. “Indeksonline” raporton se në Restelicë të Dragashit kanë ardhur mjaft shumë diasporë kohën e fundit.
Siç raporton kjo gazetë, të ardhur nga Italia ka pasur edhe në javën e fundit. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani. “Diaspora e Restelicës jeton kryesisht në Itali. Shumë familje janë kthyer, por që ne kemi marrë masat e nevojshme. Kemi nisur shërbimin emergjent, janë kontrolluar shumica e të kthyerve dhe se deri më tani nuk ka asnjë person me simptoma të koronavirusit” ka thënë Shabani.
Ndryshe, shumica e të prekurve me koronavirus në Kosovë janë persona që kanë ardhur nga Italia dhe të afër të tyre.