Nga janari 74 raste të dhunës seksuale, Haxhiu: Numri i madh është kambanë alarmi për institucionet
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka lansuar projektin “Rehabilitimi dhe Riintegrimi i të Miturve – Viktima të Dhunës Seksuale”.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me këtë rast tha se kanë ndërmarrë një varg reformash ligjore që adresojnë këtë çështje.
Por, sipas saj shqetësuese mbetet fakti i rritjes së vazhdueshëm të numrit të rasteve, ku është konfirmuar se nga janari janë ekzaminuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore 74 raste të dhunës seksuale.
Ky numër kaq i madh i rasteve e sidomos te të miturit, sipas ministres është kambanë alarmi për të gjitha institucionet që të bashkëpunojnë e të ndërmarrin masa.
“Për fat të keq të dhënat e fundit në Kosovë tregojnë për një rritje të rasteve te dhunës seksuale nëse marrim statistikat nga janari deri shtatori të këtij viti ku janë 74 raste të ekzaminuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Të dhënat gjithashtu tregojnë një numër në rritje të konsiderueshme të fëmijëve që janë të mbijetuar të kësaj, dhune, krahasuar me numrin e të rriturve”, ka thënë Haxhiu.